GJERMANI-Nënshkruhet marrëveshja për formimin e qeverisë së re

BERLIN, 7 dhjetor /ATSH-DPA/- Partia Social Demokrate Gjermane (SPD), të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP) pro-biznesit nënshkruan një marrëveshje koalicioni në Berlin, duke hapur rrugën për krijimin e një qeverie të re këtë javë.

Udhëheqësit e tre grupeve të njohur kolektivisht si koalicioni “semafor”, për shkak të ngjyrave të tyre partiake: të kuqe, të verdhë dhe jeshile u mblodhën në një vend në Berlin për të nënshkruar marrëveshjen e përfunduar në javët pas zgjedhjeve në fund të shtator.

Olaf Scholz i SPD-së pritet të marrë postin e kancelarit pas votimit parlamentar të mërkurën, ndërsa Angela Merkel do të tërhiqet pas 16 vitesh në detyrë.

Qeveria e re, e përbërë nga shtatë ministra nga SPD, pesë nga të Gjelbërit dhe katër nga FDP, dhe e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis burrave dhe grave, pritet të bëjë betimin në të njëjtën ditë.

‘’Beteja për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit do të kërkonte fuqitë e plota të koalicionit të ri’’, tha Scholz.

Robert Habeck, bashkë-udhëheqës i të Gjelbërve dhe zëvendësi i ardhshëm i Scholz, tha se qëllimi i partisë së tij ishte “një qeveri për njerëzit”.

Habeck, i cili do të drejtojë një super-ministri për ekonominë, energjinë dhe klimën, iu referua sfidave me të cilat përballet ekonomia më e madhe e Evropë dhe e katërta më e madhe në botë, në kombinimin e reduktimit të emetimeve të karbonit, gazrave serrë me garancinë e prosperitetit.

Annalena Baerbock, bashkë-drejtuese e të Gjelbërve dhe ministre e Jashtme e ardhshme, theksoi se ‘’marrëveshja e koalicionit është e përshtatshme për realitetet sociale me të cilat përballet Gjermania’’.

Pasi liderët nënshkruan marrëveshjen, palët u kthyen te anëtarët dhe drejtuesit e tyre për të marrë miratimin për dokumentin 177 faqesh.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.