Fondet e investimeve, vlera e aseteve arriti në 75.15 miliardë lekë

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Deri në fund të muajit shtator të këtij viti, vlera neto e aseteve të fondeve, arriti rreth 75.15 miliardë lekë me një rritje prej 7,742 milionë lekë ose 11.49 %, krahasuar me fundin e vitit 2020.

Sipas analizës së të dhënave për tregun e fondeve të investimeve të kryer nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregu dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 64.67% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 5.59% krahasuar me fundin e vitit 2020.

AMF bën të ditur se numri i anëtarëve që kanë investuar në fondet e Investimit është 38,015 me një rritje prej 16.41 % krahasuar me 31.12.2020.

Deri në fund të shtatorit në tregun e fondeve të investimeve ushtruan aktivitetin e tyre nëntë fonde investimi. Fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, “Raiffeisen Invest Euro”, “Raiffeisen Vizion” dhe “Raiffeisen Mix” të administruara nga shoqëria “Raiffeisen Invest”, fondi i investimeve “Credins Premium” nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”, fondi “WVP Top Invest” dhe fondi “WVP GLOBAL” administrohet nga shoqëria “WVP Fund Management Tirana sh.a”, fondi i investimeve “Albsig Standard” nën administrimin e shoqërisë administruese “Albsig Invest”sh.a, fondi “ABI EIA” administrohet nga shoqëria “ABI Invest”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.