FOKUS – Kremlini i kujton Perëndimit “vijat e kuqe” përpara video-samitit Biden-Putin

MOSKË, 7 dhjetor /ATSH-DPA/ – Vetëm disa orë para një samiti video mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Joe Biden, Kremlini paralajmëroi edhe një herë Perëndimin kundër kalimit të “vijave të kuqe” lidhur me konfliktin në Ukrainë.

“Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd, por ne kemi frikën tonë dhe vijat tona të kuqe”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të martën në komentet e raportuara nga agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Javën e kaluar, Putin deklaroi se transferimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-s në Ukrainë mund të përbëjë pikërisht një “vijë të kuqe” të tillë nga këndvështrimi i Rusisë.

Ai bëri thirrje gjithashtu për një marrëveshje me shkrim për t’i dhënë fund zgjerimit të NATO-s drejt Lindjes.

Raportimet për planet ruse për të pushtuar Ukrainën kanë shkaktuar së fundmi shqetësim të madh në mesin e anëtarëve të aleancës së NATO-s.

Moska i ka mohuar akuzat, ndërkohë që thotë se Ukraina ka zhvendosur më shumë se 120 000 ushtarë në kufirin me rajonet separatiste pro ruse të Donetsk dhe Luhansk./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.