Escobar më 9 dhjetor në Tiranë, do diskutojë për luftën ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërinë

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të zhvillojë më 9 dhjetor vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë bën të ditur se Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, ministren e Jashtme Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thekson Ambasada e SHBA-së.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.