Balla nga Uashingtoni: SHBA mbështesin fuqimisht rrugën evropiane të Shqipërisë

TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot nga Uashingtoni se, “SHBA mbështesin fuqimisht rrugën evropiane të Shqipërisë”.

Në një prononcim pas Forumit Parlamentar të Inteligjencës dhe Sigurisë, Balla deklaroi se takimi ishte një mundësi e mirë edhe për të ndarë eksperiencat më të mira, ku natyrshëm SHBA janë një model, tek i cili mund të referohemi, por dhe për të intensifikuar kontaktet e drejtpërdrejta pas një ndërprerjeje për shkak edhe të pandemisë me anëtarët e Kongresit, qofshin ata të Dhomës së Përfaqësuesve apo Senatit.

Sipas Ballës, marrëdhëniet shumë të mira që Shqipëria ka me SHBA-në në planin politik dhe diplomatik duhet të shoqërohen dhe me një partneritet më të fortë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan.

“Forumi Parlamentar i Uashingtonit për Inteligjencën dhe Sigurinë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar mbi sfida të përbashkëta të sigurisë, ku ndër to do të theksoja sfida që lidhen me sulme kibernetike, sfida që lidhen me qasje ndaj aseteve digjitale, kriptomonedhave, sifida për luftën kundër pastrimit të parave, por dhe çështje që lidhen me trafiqet”, tha ai.

Ky forum, sipas Ballës, “ishte një mundësi e mirë edhe për të ndarë eksperiencat më të mira, ku natyrshëm SHBA janë një model, tek i cili mund të referohemi, por dhe për të intensifikuar kontaktet e drejtpërdrejta pas një ndërprerjeje për shkak edhe të pandemisë me anëtarët e Kongresit, qofshin ata të Dhomës së Përfaqësuesve apo Senatit”.

“Dua të vlerësoj rëndësinë e ngritjes në një shkallë tjetër të partneritetit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan. Marrëdhëniet shumë të mira që ne kemi me SHBA në planin politik dhe diplomatik duhet t’i shoqërojmë tashmë dhe me një partneritet më të fortë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit Amerikan”, tha ai.

Balla u shpreh krenar që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe strategjik i SHBA-së në sfidat e përbashkëta. “Kam marrë gjithashtu një sërë falenderimesh nga një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Kongresit për mikpritjen e popullit shqiptar ndaj popullit afgan, pas rënies së Kabulit dhe Afganistanit në duart e talebanëve,” tha ai.

Balla theksoi se një çështje për të cilën është diskutuar është dhe intensifikimi i marrëdhënieve në planin ekonomik.

“Këto marrëdhënie shumë të mira mes dy qeverive duhet të shoqërohen dhe në planin ekonomik. Fakti që kompani me reputacion të lartë ndërkombëtar sikurse është ‘Bechtel’ që po investon për të garantuar pavarësinë energjetike të Shqipërisë në projektin e madh të Skavicës. Këto janë projekte që jo vetëm gëzojnë dhe marrin mbështetjen e ligjvënësve amerikanë dhe natyrshëm janë investime që certifikojnë atë që ka arritur deri më tani ekonomia shqiptare. E fundit, unë mendoj që ka një vlerë të rëndësishme. Kam falënderuar posaçërisht përfaqësuesit e lartë të SHBA-së për mbështetjen që i japin Shqipërisë në kuadër të implementimit dhe miratimit të reformave të rëndësishme dhe në kuadër të rrugës evropiane të Shqipërisë. SHBA mbështesin fuqimisht rrugën evropiane dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Unë shpresoj dhe kemi ende shumë ditë kohë deri në 31 dhjetor për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe SHBA në çdo rast, edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta me Brukselin, e kanë kërkuar një gjë të tillë,” tha ai.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.