​Kurti nga Brukseli: Kosova e angazhuar për dialogun me Serbinë

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrel dhe Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim siç njoftojnë nga zyra e kryeministrit u diskutuar mbi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të ardhmen e tij.

Ndërkohë që Kurti ka rikonfirmuar gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për agjendën evropiane.

Ky takim vjen në kuadër të vizitës në Bruksel, për mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit,

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet e angazhuar për dialogun me Serbinë. Ai tha se i njëjti duhet të zhvillohet në mirëbesim dhe frymë të bashkëpunimit për të arritur marrëveshjen finale me njohje të ndërsjelltë.

Në konferencën për medie, pas takimit me përfaqësuesit e lartë të BE-së për MSA-në, Kurti kërkoi sërish liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Mbesim të angazhuar për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në mirëbesim dhe frymë të përkushtimit për të arritur marrëveshjen ligjërisht obligative, të përqendruar tek njohja e ndërsjelltë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve tona”.

Kreu qeveritar para diplomatëve evropian, u mburr edhe për rritjen ekonomike që ka ndodhur në Kosovë gjatë vitit 2021 dhe menaxhimin me pandeminë COVID 19.

Progres më të madh në dialogun Kosovë-Serbi kërkoi edhe Komisioneri i BE për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.