Zgjatja e mandatit të institucioneve të Vetingut, Balla: Mbështesim sugjerimin e SHBA dhe BE

TIRANË, 6 dhjetor/ ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se, zgjatja e mandatit të institucioneve të Vetingut ka qenë sugjerim i SHBA-së dhe BE-së.

I pyetur se çfarë të reje solli Forumi Parlamentar i Inteligjencës dhe Sigurisë ku mori pjesë, Balla tha se, “Forumi i Uashingtonit është në takimin e tij të 20. Gjithmonë ka ardhur duke u pasuruar, prezenca në të jo vetëm me kongresmenë dhe senatorë, por më së shumti dhe përfaqësues të parlamenteve të shumë vendeve. Çështjet në këtë sesion ishin të fokusuara tek inteligjenca dhe te siguria. Çdo 1 minutë, ndodh një sulm kibernetik dhe ne parlamentarët duhet të përmirësojmë legjislacionin, ndërkohë që qeveritë duhet të rrisin efektivitetin në mbrojtjen e sistemeve dhe në mbrojtjen e gjithçkaje që është target i sulmeve kibernetike”.

“Gjithashtu kemi folur për çështje të trafikimit, problematikat që sjellin rreziqet e trafikimit. Kemi folur për asetet digjitale, kriptomonedhat për të përafruar secili prej nesh legjislacionin në kuadër të nevojës që ka çdo vend. Duke mësuar nga eksperiencat më të mira, në fakt edhe SHBA, zj. Nancy Pelosi jo më pak se 4 ditë përpara tha se edhe demokracia amerikane është gjithmonë e rrezikuar kur vjen fjala nga sulmet kibernetike apo përdorimi i lajmeve të rreme. Dezinformimi është po ashtu një betejë të cilën duhet ta përballim të gjithë së bashku”, u shpreh Balla.

I pyetur për opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vetingut deri në fund të vitit 2024 dhe qëndrimin e opozitës, Balla tha se, “natyrshëm, pa mbështetjen e PD-së, është e pamundur që ne të kemi në Kuvend votat e mjaftueshme”.

“Unë nuk dua ta përdor draftopinionin e Komisionit të Venecias si një instrument presioni ndaj opozitës, për të thënë se ‘shikoni se ky është drafti dhe ju duhet të vini ta votoni’. E kam pasur për praktikë dhe nuk dua të komentoj asnjëherë draftet e Komisionit të Venecias. Data 10 është brenda kësaj jave, kështu që të gjithë do të njihemi me raportin, me atë që është opinioni përfundimtar. Por si propozues, si mbështetës i propozimit, sepse duhet të jem shumë i qartë, nuk është një propozim i grupit parlamentar të PS, natyrshëm që grupi parlamentar i PS mbështeti instrumentin e domosdoshëm kushtetues me 28 firmat e nevojshme për ta futur këtë nismë në procedurë. Por ky ka qenë një sugjerim teknik i ONM, i atyre që kanë mbështetur prej fillimit, i OPDAT-it dhe EURALIUS, pra SHBA dhe delegacioni i BE”.

I pyetur nëse kjo mund të shihet si mjet kompromisi me opozitën, për Reformën Zgjedhore, apo Territoriale, Balla tha se, “në përgjithësi, në Shqipëri, kur opinionet e Komisionit të Venecias kanë qenë të qarta pa asnjë ekuivok, e unë besoj që është gjithë terreni i nevojshëm për ta kaluar këtë çështje, të cilën dua ta nënvizoj, është një çështje shumë teknike”.

“Çështjet për të cilat ju flisni dhe përmendni nuk mund të jenë kundërbalanca e tyre: ‘Na votoni ju këtë, hajde të votojmë ne atë’. Çështjet e tjera që ju thoni janë në proces diskutimi të treja propozimet, por që janë në një dokument që kanë ardhur nga deputetët e PD që lidhen me çështje të reformës zgjedhore, reformës territoriale, propozimi i ashtuquajtur i Vetingut në politikë, janë duke u diskutuar. Natyrshëm sugjerimi im publik ka qenë që për të gjitha çështjet të ulemi dhe t’i diskutojmë”, u shpreh Balla.

I pyetur se cila do të jetë qasja e PS në raport me institucionet e pavarura, nëse do emërohen teknicienë apo jo, duke marrë rastin e propozimit të Denar Bibës në krye të Autoritetit të Konkurrencës, Balla tha se, “Biba është anëtar i Autoritetit të Konkurrencës dhe ligji në fjalë referon që njëri prej anëtarëve duhet të jetë dhe kryetari. Unë nuk shoh ndonjë problematikë. Megjithatë ju e dini që ky është një organ tek i cili dhe PD ka pasur dhe do të ketë përfaqësuesit e vet. Nga ana politike, ligji përcakton që për të qenë kandidat në një prej këtyre institucioneve duhet të plotësosh mbështetjen e të paktën e 28 firmëtarëve deputetë dhe si i tillë merr një lloj ngarkese propozimi politik. Kandidatura në fjalë është e mirë që unë mendoj që i bën mirë atij institucioni”.

I pyetur se si do të zgjidhen dy anëtarët e Këshillit Drejtues të Bankës së Shqipërisë, Balla tha se, “edhe këtu procesi është i hapur”.

“Me sa di është mbyllur shprehja e interesit. Ne do të përzgjedhim nga ata që kanë shprehur interesin për të mbështetur me firmat e nevojshme, sepse dhe këtu bëhet fjalë për 28 firma deputetësh për të çuar përpara procedurën parlamentare. Ajo që dua të them është se Partia Socialiste e Shqipërisë gjithmonë do të vazhdojë të mbështesë në këto pozicione të institucioneve të pavarura ata që janë persona që gëzojnë profesionalizëm të lartë dhe kjo është një garanci që e jap dhe këtu në studion tuaj”, përfundoi Balla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.