Operacioni “Meshigli”, sekuestrohen 15 kg lëndë narkotike

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë babë e bir, për kultivim të bimëve narkotike me llamba dhe përshtatje të ambientit për këtë qëllim.

“Pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Meshigli”. Gjatë këtij operacioni, në Shënavlash, u evidentua një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, në të cilën kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. U arrestuan në flagrancë shtetasi Sh. K. dhe djali i tij, shtetasi I. K., banues në fshatin Shënavlash”, informoi Policia e Shtetit.

Sipas Policisë, në katin e katërt të banesës së shtetasit Sh. K., u gjetën dhe u sekuestruan 15 kg e 100 gramë lëndë e dyshuar cannabis sativa dhe 254 bimë narkotike.

Policia tha se në vijim të veprimeve janë arrestuar në flagrancë edhe shtetasit D. A., S. P. dhe A. K., punonjës së OSHEE-së, pasi nuk kanë kallëzuar për krimin dhe kanë shpërdoruar detyrën.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.