Kushi për marrëveshjen me Universitetin e Miçiganit: Programe studimi të përbashkëta

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila po zhvillon një vizitë zyrtre në SHBA,  nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Ky bashkëpunim i ri që do të nisë mes gjashtë universiteteve shqiptare dhe Universitetit Shtetëror të Miçiganit, do t’i hapë rrugë programeve të përbashkëta të studimit, shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe aktiviteteve, konferencave e projekteve të përbashkëta kërkimore shkencore.

Kushi theksoi se, hapja e universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta u mundëson të rinjve shqiptarë që të kryejnë studime të nivelit ndërkombëtar, pa qenë e nevojshme që të largohen nga Shqipëria.

Kushi tha se, kjo marrëveshje bashkëpunimi me interes dypalësh do t’u shërbejë edhe për shkëmbim eksperience në publikime dhe informacion akademik, kërkuesve shkencorë, si dhe do të nxisë takime të përbashkëta për të rritur cilësinë në arsim dhe kërkim shkencor, do të nxisë mbështetje në asistencë teknike, si dhe bashkëpunim në krijimin e mjediseve elektronike për leksione dhe kurse.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.