Koncert me veprat e kompozitorit Aleksandër Peçi në vitin e 70-vjetorit të lindjes

TIRANË, 6 dhjetor/ATSH/ Krijimet e kompozitorit të njohur Aleksandër Peçi erdhën të hënën në sallën “Tonin Harapi” në një koncert të ideuar nga miqtë e tij të institucioneve artistike në vend, Universiteti i Arteve, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, RTSH dhe Liceu Artistik “Jordan Misja”.

Koncerti përmblodhi pjesë nga krijimtaria e pasur e kompozitorit, në kuadër të 70-vjetorit të lindjes i mbajtur në 2 shtylla: Melodizmi dhe strukturalizmi i Peçit.

Artistë të talentuar u dhanë jetë veprave të Peçit, si sonatës “Argjiro”, arpexhiaturës për fizarmonikë e produksionit shqiptar “Kur xhirohej një film”, apo veprës “Arbëreshe” ku shihet mjeshtëria e autorit për të fakturizuar një teksturë sinusoidalo – harmonike valësh deti, si dhe lëvizje të baseve mjaft të kompozuara, që dëshmojnë për mjeshtëri kompozicioni.

“Vajzë e valëve” vjen si një nga modelet e para në shekullin 21 i shndërrimit të polifonisë shqiptare në pianizëm. Sonata n10 “Voyage de l’ame” koha 1 dhe koha 5 përfaqëson udhëtimin e shpirtit të autorit atëherë kur ai veç ai do të ekzistojë. Pjesa e programit “Valsi i trëndafilave” u luajt për herë të parë në flaut dhe sjellë poetikën e Shkodrës, kaq të dashur për autorin, por në një dimension universal europian. “Motivi i kecave”, vjen nga baleti “Kecat e ujku” dhe sjell modalitetin, energjinë dhe skercozitetin e Përmetit të viteve të rinisë së autorit i cili ishte 28 vjeç kur e ka shkruar këtë balet. Pjesë të tjera të programit ishin “Baticë-zbaticë dallgësh polifonike”, “ Valle brilante çame”.

Aleksandër Peçi është kompozitor shumë i njohur dhe një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare bashkëkohore. Në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i merituar”. Ai u diplomua në Konservatorin Shtetëror në Tiranë (1974) dhe më pas ka punuar si drejtor i Pallatit të Kulturës në Përmet. Nga viti 1979 ai ka qenë drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Në vitin 1989 ai kompozoi këngën “Toka e Diellit”, e cila fitoi konkursin më të madh të muzikës shqiptare, Festivalin e Këngës në RTSH. Që nga viti 1992, Aleksandër Peçi jep mësim në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Peçi ka një karrierë të shkëlqyer 50-vjeçare ku disa nga trofetë e tij janë: 5 simfoni, 15 sonata, 13 koncerte nga të cilat 6 koncerte për violonçel e orkester, 5 koncerte për piano orkestër, 6 rapsodi, 2 opera, 2 balete, rreth 20 filma, 120 botime për piano nga një total prej 915 botimesh, 35 albume CD 573, video në youtube, mbi 200 evenimente ndërkombëtare.

Kompozitori është autori më i ekzekutuar jashtë Shqipërisë në këto 30 vite, me çmime te shumta. Si themelues i “Pianodrom” me 106 produksione për 9 vjet dhe një nga themeluesit e shoqatës “New Music”, është promotor i zhvillimeve moderne në kompozicionin shqiptar. Si profesor ka nxjerrë nga emrat më të rëndësishëm në brezin e ri të kompozitorëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.