IGJEUM: Gjatë javës, reshje intensive dhe rrezik përmbytjesh

TIRANË, 5 dhjetor/ATSH/ Pasditen e së dielës dhe në fillimin e javës tjetër priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri-perëndim dhe në jug të territorit. Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata. Në lartësitë mbi 1000 m ato priten të jenë në formë dëbore.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën të ditur se, në qarqet Lezhë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

“Në të gjithë territorin priten rritje të prurjeve përgjatë javës në vijim që mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara. Në zonat urbane pothuajse në të gjithë territorin, si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, kryesisht përgjatë datës 6 dhjetor 2021, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, thuhet në njoftimin e IGJEUM.

Sot pasdite (e diel, dt.05) dhe nesër (e hënë, dt.06) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, por në bregdet e fortë.

Temperaturat e ajrit ulen sërish ndjeshëm nga -1°C deri në 15 °C.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.