Tirana me pistë olimpike atletike brenda vitit

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Luiza Gega, vajza e talentuar që na bën krenarë në të gjitha garat ndërkombëtare, një vit më parë mori premtimin publik nga kryetari i bashkisë, Erion Veliaj se pista e atletikës që aq shumë i mungonte Tiranës do të ishte gati në vitin 2021.

Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ndau sot pamje nga punimet për pistën e re olimpike të atletikës, e cila do të plotësojë të gjithë standardet e kërkuara nga Federata.

“Vjet i premtuam kampiones sonë Luiza Gega dhe të rinjve të atletikës që Tirana do kishte pistën olimpike atletike në natyrë më të bukur në Ballkan, në mes të parkut e ajrit të pastër. Nuk do na zërë fundi i vitit pa e mbajtur premtimin”, shprehet Veliaj.

Më herët, Parkut të Madh te Liqeni iu shtua edhe pista e kërcimit për së gjati sipas standardeve botërore. Vitet e fundit bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë sportit.

Rreth 80 terrene të reja sportive e kënde lojërash janë ndërtuar 6 vitet e fundit në çdo zonë të Tiranës, për të nxitur fëmijët dhe të rinjtë drejt aktivitetit fizik, për argëtim, socializim, por edhe një jetë të shëndetshme. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.