Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri, në pranga 4 shtetas

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Policia e Korçës goditi një grup të strukturuar kriminal, që ushtronte aktivitetin e kundërligjshëm në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të kufirit, kundrejt fitimit.

Pas një periudhe 6-mujore hetimi u vunë në pranga 4 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve në kërkim: A. B., 36 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, B. B., 47 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, L. S., 47 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll, A. Z., 51 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll dhe u shpall në kërkim shtetasi: E. Z., 24 vjeç, banues në fshatin Ponçarë, Devoll.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë caktoi për këta shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Në kuadër të këtij grupi të strukturuar kriminal, janë arrestuar më parë nga Policia, në kohë të ndryshme, edhe 3 bashkëpunëtorë të tjerë të shtetasve të lartpërmendur, konkretisht shtetasit A. Gj. dhe L. S., banues në Elbasan, si edhe shtetasi I. D., banues në Korçë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.