Bytyqi: Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, dëshmi kohezioni midis bizneseve rajonale

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi vizitoi sot Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Expo Group”, që po zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 1-4 dhjetor.

Duke vlerësuar maksimalisht panairin, Bytyqi theksoi se “bizneset duhet ta shikojnë këtë bashkëpunimin në nivel më të lartë, të krijojnë zinxhirin e vlerave dhe të rrisin intensitetin e veprimtarive të tyre më shumë se sa kanë patur më parë”.

Gjatë vizitës në këtë panair Bytyqi shoqërohej nga Luan Muhametaj, president i Klik Ekspo Group & Panairit Ndërkombëtar të Tiranës dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut, Dancho Markovski.

“Ky panair dëshmon se ka një kohezion midis bizneseve, pasi dihen se sipërmarrjet nuk njohin kufij midis tyre”, tha Bytyqi.

Në një intervistë për mediet zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi u shpreh se ky panair është dëshmi e qartë e iniciativës “Open Balkan” dhe qëllimit që ajo ka.

“Shpeshherë e kam shprehur se fatkeqësisht ne në Ballkanin Perëndimor, fokusohemi në mënyrën se si gjërat duhen bërë, në metodat, iniciativat, por jo në qëllimet në vete. “Open Ballkan” synon rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe e bizneseve dhe kjo është dëshmi kryesore e asaj që duhet të ndodhë të sjellim biznesin më afër për lehtësi në lëvizje, mundësi për tu rritur, pa marrë parasysh që kjo ndodh në vend ose në rajon. Të gjitha vendet e Ballkanit aspirojnë të bëhen pjesë e familjes së madhe Evropiane, a nuk do ishte më mirë që vendet skeptike të afrohen për t’i paraprirë kësaj nisme, për të mos qenë një mundësi e humbur më vonë”, tha Bytyqi.

Në kuadër të nismës “Open Balkan” dhe qëllimit të tre vendeve për të bashkëpunuar si një i vetëm, i pyetur nëse ka filluar puna për përpunimin e një plani në përmirësimin e shkëmbimit të mallrave, lejeve të punës dhe lehtësirave të nevojshme që duhen ndërmarrë konkretisht, Bytyqi u shpreh se “harmonizimi i politikave dhe masave të ndryshëm që katër liritë e Bashkimit Evropian të jenë të pranishme në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne realisht shprehemi se nuk duhet të humbasim asnjë moment për qytetarët tanë, sepse cilësia dhe jeta e qytetarëve është më e rëndësishme se sa integrimi në një vend kur ai të ndodhë. Për këtë arsye, tre shtetet iniciatore për “Open Balkan”, e hapur dhe për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, kemi ndërmarrë hapat konkrete. Vetëm dje dogana e Maqedonisë së Veriut firmosi marrëveshjen me homologen në Serbi për lirinë e mallrave dhe uljen e shpenzimeve fitosanitare, dhe javën e ardhshme do e bëjmë të njëjtën me Shqipërinë dhe dalëngadalë po lehtësohen pengesat burokratike dhe administrative që kanë qenë të pranishme për kohë të gjatë në këto vende”, tha zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

Duke u shprehur entuziast se viti i ardhshëm do sjellë risi për biznesin në Ballkanin Perëndimor dhe në kontekstin e nismës “Open Balkan”, ai theksoi se është artikulimi më i mirë i njerëzve me vizion për Ballkanin Perëndimor, ajo e integrimit të plotë në BE.

Në lidhje me zërat kritikë dhe se Kosova mendon se kjo iniciativë i shërben axhendës serbe, zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut u shpreh se parë në perspektivën personale  çdo moment i humbur është oportunitet i humbur.

“Në këtë prizëm, mendoj se nuk flasim sot se kemi frikë, por frikë nga e nesërmja dhe se ajo çfarë do sjellë, gjithmonë do ekzistojë. Unë mendoj se duhet të jemi mendje hapur për shfrytëzuar oportunitetet që sjellë periudha post COVID-19 dhe kjo është që të japim një mësim qoftë biznesit, qoftë qytetarëve tanë, për të parë një jetë më cilësore. Është koha që konfliktet politike duhen lënë mënjanë dhe zgjidhja e duhur dhe hapi i duhur është dialogu. Ne si shtet, treguam se çështje me prioritet siç janë ndryshimi i emrit për integrimin evropian dhe të mirën e qytetarëve tanë mund të ndodhë. Mendoj se e njëjta duhet të shërbejë në Ballkanin Perëndimor, si formë për të cilën do e shfrytëzojmë për të mirën e popujve tanë”, theksoi zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

Sa i përket zhvillimeve për konferencën e parë ndërqeveritare dhe a mendohet se do ketë një dritë jeshile nga Bullgaria pas ndryshimeve të  fundit që kanë ndodhur në politikë, zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut u shpreh se ka një konsensus me mbështetjen e anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ka plotësuar kushtet.

“Ajo që mua personalisht më bën të ndjehem mirë është që po bëjmë detyrën e shtëpisë ashtu siç duhet, plotësojmë kushtet, përmbushja e standardeve që gjithsesi një ditë duhet t’i përmbushim dhe momente të ndryshme dhe pengesa të tilla do të shuhen. Gjithashtu, mendoj se formimi i qeverisë së re në Bullgari do jetë zgjidhja përfundimtare e një konflikti ,i cili u krijua për interesa ditore, por mendoj se viti i ardhshëm do jetë i mbarë për të dy shtete”, përfundoi Bytyqi.

Ky panair vjen në edicionin e 27-të si qasje e orientuar drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal, klimës së duhur për bizneset, si edhe në kontekstin e “Open Balkan”.

 

/e.xh/k.s/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.