Tregtia online, miratohen ndryshimet ligjore që mbrojnë konsumatorin

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime në ligjin për tregtinë elektronike dhe tregtinë online, të cilat forcojnë sigurinë e konsumatorit.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj informoi mbi detajet e këtyre ndryshimeve në ligj.

Sipas saj, “gjatë periudhës së pandemisë ka pasur rritje të fluksit të kësaj kategorie të tregtisë dhe konsumatorët janë mësuar tashmë me këtë formë tregtie që jep akses në tregjet kombëtare dhe ato ndërkombëtare”.

“Vendimi që kaluam sot ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve, me disa saktësime që duhet të kenë kontratat e këtij lloj tregtimi, me qëllim që konsumatori kur blen një produkt apo shërbim online të jetë i mbrojtur. Konkretisht, vendimi ka të bëjë me saktësimin e periudhës së kthimit të mallrave, e cila është 14 ditë nga dita që konsumatori merr mallin në shtëpi. Pra, konsumatori ka të drejtë 14 ditë që ta kthejë mbrapsht këtë produkt”, tha Ibrahimaj.

Po ashtu, ajo theksoi se vendimi ka të bëjë edhe me shërbimet e pagesave. “Vitin e kaluar ka pasur një ndryshim në ligjin e pagesave dhe përmes këtij projektvendimi saktësohet dhe ka një siguri më të lartë në shërbimin e pagesave të konsumatorit”, tha Ibrahimaj.

Mnistrja siguroi se, “qeveria shqiptare është e angazhuar ndaj mbrojtjes së konsumatorit dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, si ato që ofrohen nga vetë qeveria, por edhe nga privati”.

E pyetur mbi bizneset online që nuk janë subjekte tatimore, Ibrahimaj theksoi se “ka një taskforcë që është ngritur dhe ka për qëllim identifikimin e subjekteve pa NIPT”.

Lidhur me pagesën e taksave nga këto subjekte, Ibrahimaj theksoi se “ato do të funksionojnë si biznes fizik”.

“Ligji për taksat dhe tatimet i ka të parashikura të gjithë elementët, si me tregtinë fizike, edhe me tregtinë online. Asnjë gjë nuk ka ndryshuar në ligj. Kjo VKM shton sigurinë e konsumatorit dhe nuk përcakton ndryshim të taksave dhe tarifave. Bizneset kanë tarifat e tyre për transportin e shërbimin. Ato taksohen për qarkullimin e tyre dhe transaksionet. Nëse nuk e kalojnë fashën prej 14 milionë lekësh nuk janë subjekte të tatimfitimit, nëse kanë qarkullim më të lartë, janë subjekte të tatimfitimit si çdo subjekt tjetër”, tha ministrja Ibrahimaj.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.