Rijetësimi i muzeve të Gjirokastrës, bisedë me publikun me gjuhën e kohës

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ “Muzetë janë kujtesa jonë, ndaj dhe duhet t’i mbajmë gjallë, t’i kthejmë në institucione që i rrëfejnë të gjitha brezave”. Kështu shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndërsa përcjell një nga projektet në zbatim.

Sipas saj, rrjeti i muzeve të Gjirokastrës janë ndër më interesantët që po rijetësohen, duke folur me publikun me gjuhën e kohës.

Gjirokastra, me kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri dhe ballkonet e drunjta krijojnë një arkitekturë unike. Aktualisht po restaurohen 4 objekte duke ndërthurur simbiozën e së vjetrës me të renë në ruajtjen e karakteristikave historike. Duke qenë se objektet janë amortizuar përgjatë viteve, ndërhyrjet konsistojnë në restaurim/rindërtim kalldrëmi, restaurimi/konsolidimi i mureve anësore, ndriçim estetik etj.

Aktualisht vazhdon restaurimi i kalldrëmeve në rrugën “Sado Meleqi” si dhe rrugën “Ramadan Mane”, ndërsa paralelisht po punohet dhe për restaurimin e mureve prej guri.

Ndërkohë në muzeun “Ismail Kadare” kanë përfunduar punimet për shtrirjen e rrjeteve të ndriçimit, internetit, mbrojtjes nga zjarri, kamerave, ngrohjes etj. Shtëpia u ndërtua në 1799, dhe është shpallur monument kulture në 1991. Shtëpia muze e Kadaresë është hapur për publikun në 28 janar 2018, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpia e Kadaresë është në mes të lagjes historike “Palorto” dhe gjendet lehtë. Brenda saj ka ende disa objekte origjinale që i përkasin familjes si p.sh., një sënduk, disa foto etj.

Në projektet ku po investohet në Gjirokastër përfshihet edhe Muzeu Etnografik, ku po vazhdojnë punimet e suvatimit dhe patinimit të mureve të gurit dhe punime restaurimi, si dhe punime të rikonstruksionit të çatisë.

“Muzeu Etnografik është në 40 % të punës tashmë. Këtu kemi edhe pjesë të pllakave me shkrime nga Edward Lear të cilat do të jenë pjesë e shesheve ku do jetë i gjithë itinerari i Edward Lear”, ka deklaruar gjatë një inspektimi në terren ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Si një qendër e rëndësishme administrative, ekonomike dhe kulturore nëpërmjet këtyre investimeve synohet të ruhen vlerat e objekteve historike, si atraksione gjithmonë edhe më tepër të preferuara në shërbim të turistëve.

Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, Gjirokastra është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.