Mehaj: Rritëm kapacitetet e FSK-së, pajisje ushtarake deri në 32 milionë euro

PRISHTINË, 3 dhjetor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se për tetë muaj udhëheqje ka rritur kapacitetet e FSK-së në burime njerëzore dhe pajisje ushtarake.

Mehaj duke raportuar në Komisionin për Siguri, tha se për ta modernizuar ushtrinë kanë blerë pajisje ushtarake deri në 32 milionë euro.

Kryesisht, sipas tij kanë qenë autoblinda, dronë, snajper, por edhe pajisje të tjera që nuk i bëri të ditura para medieve.

Krahas kësaj, Mehaj tha se kanë rekrutuar rreth 1240 ushtarë të rinj në FSK.

“Për ta modernizuar ushtrinë kemi blerë pajisje ushtarake nga ShBA. Blerjet janë të sigurta, realizim konkret dhe garanci më të madhe. Në total për këto 8 muaj vlera e pajisjeve e kap shifrën e 32 milionë euro. Përfshihet autoblinda, armatime, snajperë, dronë edhe të tjera, por nuk mund t’i them para medieve. Ne kemi arritur numrin me 1240 pjesëtarë të ri të FSK-së”, tha ministri Mehaj.

Ai para deputetëve vuri në pah edhe bashkëpunimin me ShBA.

“Kurrë më mirë nuk kemi pas bashkëpunimin me ShBA-të. Këtë mund ta konfirmojnë edhe vetë ata”, shtoi ai. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.