Manastirliu: Shqipëria do dërgojë disa mostra në laboratorë të specializuar për variantin Omicron

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se Shqipëria do të dërgojë disa mostra në laboratorë të specializuar për të pasur një përgjigje nëse varianti Omicron ka ardhur edhe në vendin tonë.

Manastirliu në një intervistë në media, tha se kjo masë vjen për të qenë të parapërgatitur, për aq kohë sa vendet fqinje të Shqipërisë kanë konfirmuar pacientë me variantin në fjalë. Por sipas saj, nuk ka asnjë dyshim konkret të ndonjë rasti infektimi me Omicron.

Duke folur për situatën e pandemisë në vend, Manastirliu theksoi se ka nisur marrja e dozës së tretë të vaksinës.

“Situata është e qëndrueshme, e kontrolluar. Ne kemi filluar tashmë dozën e tretë ditën e djeshme, kjo për të krijuar një barrierë mbrojtëse. Deri tani nuk kemi akoma panoramën e qartë të virusit të ri, sepse deri më sot ajo që dihet është se ky variant përhapet shumë më shpejt se Delta dhe deri tani 25 vende në botë e kanë verifikuar se kanë prezence të tij. Vendi i parë është Afrika e Jugut dhe të gjitha vendet kanë marrë masa për kufizime. Akoma nuk kemi të dhëna për të bërë vlerësime se sa fatalitet shkakton, apo çfarë roli ka vaksina. Në Shqipëri, ne kemi përgatitur gjithë serine e mostrave. Nuk mund të themi se kemi një dyshim, por patjetër që vijojmë të përgatitemi në mënyrë që të kemi të dhëna sa më të shpejta. Janë përgatitur kampione për t’u dërguar jashtë vendit për të marrë të dhëna konkrete”, tha Manastirliu.

Më tej, ministrja siguroi se të gjitha llojet e vaksinave që përdoren në Shqipëri janë më se efektive.

“Shqipëria siguroi në një kohë të shpejtë vaksinimin e mësuesve, mjekëve dhe policisë dhe më 28 mars kemi nisur vaksinimin masiv. Dhe prej muajit korrik, ne kemi hapur vaksinimin për çdo qytetar mbi 16 vjeç dhe fëmijë mbi 12 vjeç me sëmundje. Sot vaksinimi është shumë i kollajshëm, mjafton të shkosh në Qendrën Shëndetësore me kartën me vete. Disa zëra kanë hedhur një re të zezë mbi lloje të ndryshme vaksinash. Ndërkohë që janë të gjitha vaksina të njohura nga OBSH, apo EMA. Të gjitha janë efektive, për aq kohë sa përdoren gati në të gjitha vendet e botës. Fakti që SHBA në nëntor ka pranuar që udhëtarët të mbërrijnë me pasaporta vaksinimi edhe kineze, e tregon këtë. Pra këtu nuk ka vend të themi që vaksinat nuk janë efektive”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi se Shqipëria ka tre herë më pak fatalitete nga COVID-19 krahasuar me periudhën para aplikimit të vaksinës, që tregon rëndësinë e kësaj të fundit.

Manastirliu deklaroi se 94 % e të shtruarve në spitale sot janë të pavaksinuar, qoftë edhe me një dozë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.