FOKUS – Lamtumira e Merkelit: Shiheni botën me sytë e të tjerëve

BERLIN, 3 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Sot, para së gjithash, ndjej mirënjohje dhe përulësi përballë postit që kam mbajtur për kaq shumë kohë, deklaroi kancelarja gjermane Angela Merkel në ceremoninë e lamtumirës që u zhvillua dje në mbrëmje në Ministrinë e Mbrojtjes në Berlin.

Merkel shpjegoi se ishte “mirënjohëse për besimin e marrë”, sepse “besimi është kapitali më i madh në politikë”.

“Dëshiroj t’ju inkurajoj që gjithmonë ta shikoni botën me sytë e të tjerëve”, shtoi kancelarja në fjalimin e lamtumirës nga posti që drejtoi për 16 vite.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, numri i të ftuarve ishte shumë më i vogël sesa do të ishte normalisht në një ceremoni të tillë. Presidenti Frank-Walter Steinmeier mori pjesë si i ftuar nderi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Elke Buedenbender.

Merkel zgjodhi “Fuer mich soll’s rote Rosen regnen” të Hildegard Knef (”Le të bjerë shi trëndafilash të kuq për mua”) si një intermexo muzikore për lamtumirën e saj.

Përveç himnit “Grosser Gott, wir loben Dich” (”Zot i madh, të lavdërojmë”), trupi muzikor i stafit të Bundeswehr-it luajti këngën “Du hast den Farbfilm vergessen” (”Ti harrove filmin me ngjyra”), me të cilën këngëtarja punk Nina Hagen pati një hit në ish-Gjermaninë Lindore në vitin 1974. Vetë Merkel u rrit në ish-Lindje.

Origjina e paradës daton në shekullin XVI. Ceremonia zhvillohet gjithmonë në mbrëmje dhe përbëhet nga një procesion, disa pjesë muzikore – duke përfshirë himnin kombëtar – dhe marshimin.

Merkel shfrytëzoi rastin për të parë krizat që përcaktuan kohën e saj në detyrë, duke përfshirë krizën financiare dhe ekonomike në 2008 dhe krizën e refugjatëve në 2015.

“16 vitet si kancelare federale ishin vite plot ngjarje dhe shpesh shumë sfiduese”, tha Merkel.

“Më kanë sfiduar edhe si politikane edhe si njeri. Dhe në të njëjtën kohë më kanë lënë gjithmonë të plotësuar”, theksoi ajo.

Momentet e saj kryesore në detyrë, nën komentet e ekspertëve ishin si më poshtë:

  • Shpëtimi i euros dhe trajtimi i krizës financiare të vitit 2008
  • Kundërpërgjigjja e saj ndaj viteve të Trump
  • Kriza e refugjatëve
  • Negociatat me aksionerët e lartë të BE-së për lehtësimin e borxhit për Greqinë gjatë krizës së euros
  • Vendimi për të mos mbyllur kufirin për refugjatët e bllokuar në Hungari, në vitin 2015
  • Hapja e rrugës që martesa e të njëjtit seks të kalonte në procedurën parlamentare./ /os/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.