COVID-19/- Landet gjermane shtrëngojnë masat me rritjen e rasteve

BERLIN, 3 dhjetor /ATSH-DPA/- Një ditë pasi udhëheqësit gjermanë nxorën rregullore të reja kombëtare për të luftuar një valë të katërt të koronavirusit, disa shtete individuale po përgatiten të aplikojnë masa më të ashpra për të parandaluar infeksionet.

Klientët e restoranteve në shtetin jugperëndimor të Baden-Wuerttemberg do të duhet të japin një test negativ të koronavirusit për të qenë në gjendje të hanë atje edhe nëse janë të vaksinuar ose kuruar nga Covid-19, sipas rregullave që hyjnë në fuqi të shtunën.

Individët e pavaksinuar do të përjashtohen nga çdo event.

Tubimet e mëdha si ndeshjet e futbollit do të kufizohen në 750 persona dhe asnjë vend nuk do të mund të kalojë gjysmën e kapacitetit maksimal.

Baden-Wuerttemberg nuk është shteti i parë që merr masa që shkojnë përtej kufizimeve kombëtare të rënë dakord të enjten midis udhëheqësve federalë dhe shtetërorë.

Saksonia e Poshtme ka vendosur tashmë një rregull të vaksinës plus testimi për pothuajse të gjitha fushat e jetës publike.

Sipas masave të dakorduara në nivel kombëtar, numri i pjesëmarrësve në ngjarje sportive, kulturore dhe të tjera do të kufizohet në maksimum 30-50 për qind të kapacitetit të vendeve, ndërsa një maksimum  prej 15 000 spektatorësh do të lejohet në stadiumet e futbollit të Bundesligës.

Vetëm personat që janë vaksinuar ose që janë shëruar së fundmi nga një infeksion mund të hyjnë në dyqane, kafene dhe ambiente kulturore dhe argëtuese, sipas rregullave të reja kombëtare.

Shteti më i populluar i North Rhine Westphalia konfirmoi sot se po i sillte kufizimet e tij për koronavirusin në përputhje me rregullat kombëtare dhe se ato do të hynin në fuqi të shtunën.  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.