Veliaj: Vitin tjetër dyfishojmë hapësirën e Kalasë së Tiranës

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kalaja, qendra historike e qytetit të Tiranës, do të dyfishohet me hapësirën që ka pas, vitin e ardhshëm.

Lajmin e ka dhënë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pikërisht nga atmosfera festive e ndezjes së dritave të pemës së Vitit të Ri në zonën e Kalasë.

“Lajmi i mirë është që vitin tjetër Kalaja do të dyfishohet nga kjo hapësirë që është këtu, në hapësirën tjetër që kemi pas dhe do të kemi qendrën e Tiranës së vjetër që nuk e kemi pasur kurrë më përpara dhe kushdo që realisht, jo për politikë, e do trashëgiminë, i do muret e Kalasë dhe e kupton që vetëm ku ka jetë njeriu, jetë fëmijësh, përqafime, dashuri, kalim kohe, vetëm atëherë merr vlerë gjëja antike. Ne do kuptojmë që dyfishimi i kësaj hapësire dhe zgjerimi i gjithë Tiranës si hapësirë për njerëzit, fëmijët, familjet e jo për makinat, është vendimi më i duhur për qytetin tonë, vendimi më i mirë,” u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se viti i ardhshëm do të jetë i gjithi një festë për Kryeqytetin Europian të Rinisë, Tiranën.

“Kemi pasur vitin 2019 që ishte tërmeti, 2020-ën – viti i pandemisë, 2021-shi – viti që u morëm shumë me rindërtimin e shkollave, kopshteve, çerdheve. Kemi shansin që 2022-shi të jetë një vit fantastik, ku Tirana do jetë Kryeqytetit Europian i Rinisë, ku do kemi mundësinë që të kemi 365 ditë festë, dashuri, solidaritet, përqafime dhe punë të mira për qytetin tonë,” u shpreh Veliaj.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.