Varianti i ri Omicron, MEPJ njofton masat e vendosura nga Franca

TIRANË 2 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot për masat e vendosura nga Republika e Francës, për hyrjet dhe daljet e qytetarëve, në kushtet e COVID-19 dhe variantit të ri Omicron.

Nga data 2 dhjetor 2021, për udhëtimet nga vende jashtë BE, lejohet hyrja në Francë, pa pasur nevojë për një arsye madhore, vetëm të qytetarëve të cilët kanë kryer ciklin e vaksinimit prej të paktën 28 ditësh për vaksinën me dozë unike Janssen dhe 7 ditësh të 2 dozave të vaksinave Pfizer/Comirnaty, Moderna, AstraZeneca/Vaxzevria/Covishield.

Personat e vaksinuar, përveç certifikatës së vaksinimit, duhet të jenë të pajisur edhe me një test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit.

Fëmijët 6 deri 18 vjeç të cilët janë të pavaksinuar, kur shoqërohen nga prindër të vaksinuar, mund futen në territorin francez vetëm me test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit, pa pasur nevojë për arsye madhore.

Për personat e pavaksinuar me një nga vaksinat e mësipërme, autoritet franceze kërkojnë plotësimin e kritereve: paraqitjen e një arsyeje madhore sipas formularit, një test PCR negativ me vlefshmëri 48 orë para udhëtimit, angazhimin për t’u izoluar gjatë 7 ditëve pas mbërritjes në Francë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.