Rama: Bashkëpunimi rajonal sjell rritje 6.7% të PBB-së

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti i PD, Tritan Shehu se, “nga bashkëpunimi rajonal mund të arrijmë, thonë institucionet financiare ndërkombëtare, në 6.7 % rritje të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”.

“Shqipëria është një ndër vendet e 6-çes që i ka respektuar dhe i ka çuar përpara të gjitha marrëveshjet e mbetura pezull të tregut të përbashkët rajonal. Pse mbesin pezull marrëveshjet e tregut të përbashkët rajonal? Kjo është një pyetje të cilës “Ballkani i hapur” i jep një përgjigje konkrete. Sepse është e pamundur që punët tona, punët e shteteve tona, për interesat tona, në këtë rajon tonin të na i bëjnë me rekomande të tjerët, që i kemi aleatë, i kemi partnerë, i kemi miq të çmuar, por që kanë shumë punë të tjera për vendet e tyre për t’u marrë dhe s’mund të merren me menaxhimin e vendeve tona apo të rajonit tonë”, tha Rama.

Rama tha se po të shihet kalendari i Samiteve të Berlinit, nga një samit në tjetrin kemi boshllëk, sepse çfarë diskutohet në Samit dhe çfarë firmoset në parim, mbetet pa u jetësuar.

“I njëjti raport, meqë i referoheni Ceftës, nënvizon se në 2019 Shqipëria mbajti me sukses kryesinë e Ceftës, në fund të së cilit, u miratua mes të tjerave edhe protokolli shtesë, 6 i marrëveshjes që synon lehtësimin  e lëvizjes së lirë të shërbimeve në hapësirën e Ceftës. Po ashtu ishte pikërisht nën Presidencën e Shqipërisë që mes palëve u dakordësua dhe procedura e validimit për njohjen e ndërsjellë të operatorëve të autorizuar ekonomikë”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi kryeministri, “që Shqipëria vetë e ratifikoi Protokollin 6 që në prill të 2020-ës, ost e kësaj dite, 2 vite nga nënshkrimi i protokollit, protokolli 6 nuk është ratifikuar në shumë parlamente të Ballkanit Perëndimor”.

“Atëherë çfarë duhet të bëjë Shqipëria dhe cila është përgjigja që ne duhet t’i japim qoftë halleve të atyre që  ndërveprojnë në këtë rajon si subjekte shqiptare, qoftë edhe nevojës së tyre, por edhe nevojës së vendit për të rritur kapacitetet, për të zgjeruar tregjet, për të zgjeruar  hapësirën ku prodhuesit, përpunuesit, tregtuesit tanë të mund të ndërveprojnë dhe natyrisht të rrisnin të ardhurat e tyre duke rritur për pasojë ekonominë tonë kombëtare, punësimin e kështu me radhë”, theksoi Rama.

“Jo sipas meje, jo sipas qeverisë së Shqipërisë, po sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, bashkëpunimi ekonomik rajonal dhe krijimi i një tregu të përbashkët rajonal. Sepsenuk kemi mendime të ndryshme , as Procesin e Berlinit, as për tregun e përbashkët rajonal, as për Ceftën. E vetmja gjë ku ne dallojmë, është si jo çfarë. Çfarë është shumë e qartë. Ne duam pikërisht këtë, një treg të përbashkët rajonal, ku të zbatohen 4 liritë e BE. por janë 7 vite sot që ne nuk e kemi tregun e përbashkët rajonal. Dhe ka një pse kjo. Mbase të tjerë mund të kontribuojnë për të gjetur elementë të tjerë të pse-së, por kryesorja është implementimi. Pra nuk kemi një proces implementimi të ndjekur në kohë reale, nga shtetet, nga qeveritë, nga agjencitë, gjë që “Ballkani i hapur” e mundëson. Dhe kjo me fakte jo me fjalë”, theksoi Rama.

“Nga ky bashkëpunim mund të arrijmë, thonë institucionet financiare ndërkombëtare, në 6.7 % rritje të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. 6.7 %. Pra, si mundet ne ta privojmë veten nga ky potencial, ndërkohë që çfarë jemi duke bërë të gjithë, jemi duke synuar të gjejmë burime të reja rritje ekonomike dhe të mos bazohemi vetëm tek burimet ekzistuese. Dhe një nga burimet e reja të rritjes ekonomike, ose burimi më i rëndësishëm, i pashfrytëzuar, është pikërisht bashkëpunimi rajonal”, tha Rama.

“Do t’ju ftoja të bënit një dëgjesë ju me komunitetin e biznesit shqiptar që është i përfshirë në tregun rajonal, sot që flasim, dhe t’i dëgjoni ata, për interesat e tyre, që janë rrjedhimisht interesat e ekonomisë shqiptare dhe të vendit tonë”, u shpreh Rama.

Pyetjes së deputetit Shehu se kjo nismë ka lidhje me Jugosllavinë e Re, Rama tha se, “se ku hyn këtu Jugosllavia e Re, unë nuk e gjej dot. Këtu bëhet fjalë për një hapësirë që nuk është asgjë tjetër, veçse një hapësirë ku ne duam dhe unë synoj zbatimin e 4 lirive të BE. Nëse qarkullimi i lirë i qytetarëve, i mallrave, i kapitaleve dhe i shërbimeve, ishte diçka e siguruar në Jugosllavi, atëherë i bie që BE na qenka Jugosllavia ndërkohë. Ky është një krahasim absurd, i panevojshëm, i pakuptimtë, por thjesht një lojë fjalësh për të cenuar pikërisht nismën. Një nismë që për mua është interes kombëtar, është interes publik”, tha Rama.

“Sesi mund të jetë vizion rus apo kinez, vizioni i Procesit të Berlinit, unë nuk e di. Unë di që “Ballkani i hapur” është njësi zbatimi e shteteve e Procesit të Berlinit. Unë di që ne i kemi ftuar të gjitha vendet të bëhen pjesë. Unë di që Kosova humbet një shans edhe për atë çka përbën problemin më të madh që ne kemi me Serbinë, si dy shtete, duke munguar në atë tryezë.. Unë di që historia tregon, pa bërë këtu historinë e shumë konflikteve, se ndërtimi i marrëdhënieve ekonomike dhe nxitja e ndërveprimeve ekonomike është përdorur në histori si një katalizator për të zgjidhur çështje politike”, u shpreh Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.