Rama: “Ballkani i Hapur” do të vazhdojë, në interes të shqiptarëve

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ “Ballkani i Hapur” do të vazhdojë, sepse është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama në interpelancën e kërkuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu.

“Ballkani i Hapur është një mekanizëm për të realizuar tregun e përbashkët rajonal. Doni apo s’doni ju, z. Shehu dhe duan apo s’duan ata që mendojnë si ju, Ballkani i Hapur do të vazhdojë, sepse është në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shqiptarët na i kanë besuar në Partisë Socialiste mbrojtjen e interesave të tyre dhe jo juve”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “askush, as në Bruksel, as në Uashington, në Berlin, Paris, as në Hagë nuk është kundër Ballkanit të Hapur është e vërtetë që gjithkush thotë që Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrja në të dhe e 3 vendeve të tjera është e mirëseardhur”.

Rama theksoi se “këtë e kam thënë dhe e përsëris që në ditën e parë. Nuk hyj në garë as me ju as me askënd se më kë është Amerika, me kë është Evropa, sepse kjo është një garë si ato ndeshjet me topa lecke në filmat me fëmijë të realizimit socialist. Ka rëndësi shumë se çfarë mendojnë aleatët tanë, por më rëndësi ka se çfarë bëjmë ne të gjithë bashkë për vendin tonë dhe ku janë interesat e Shqipërisë në këtë proces që quhet Ballkani i Hapur”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.