Rama, apel qytetarëve: Vaksinohuni me dozën e tretë përforcuese

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i bëri apel sot të gjithë qytetarëve të vijojnë vaksinimin me dozën e tretë përforcuese kundër COVID-19.

Rama ndau një video nga procesi i vaksinimit në qendrën e vaksinimit të përqendruar në stadiumin “Air Albania”.

“Mirëmëngjes dhe duke ju kujtuar të vijoni vaksinimin me dozën e tretë përforcuese, për të qenë më të mbrojtur gjatë dimrit e për të mos i dhënë virusit një mundësi të dytë ndërkohë që varianti i ri Omicron po shqetëson botën, ju uroj një ditë të mbarë.
Shëndeti mbi të gjitha”, thekson Rama.

Qytetarët që po kryejnë vaksinën theksojnë se po e bëjnë vaksinën për të mirën e shëndetit të tyre, ndërsa i bëjnë apel të gjithëve që ta kryejnë atë për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,103,351 doza të vaksinës ndaj COVID-19, nga të cilat, 1,072,645 janë doza të para; 961,013 doza të dyta dhe 67,381 doza të treta. Vaksinimi ndaj COVID-19 është i hapur për të gjithë personat +18 vjeç si dhe fëmijët +12 vjeç me probleme të sistemit imunitar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.