Prof. Albana Fico emërohet drejtoreshë e përgjithshme e QSUT-së

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Prof. Albana Fico u emërua drejtoreshë e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila shprehet se Fico do të çojë përpara projektet e mëdha të modernizimit të QSUT-së.

“Prof. Albana Fico emërohet në drejtimin e QSUT-së, për të çuar përpara projektet e mëdha të modernizimit të qendrës më të madhe spitalore në vend. Faleminderit Enkelejdi Jotit për punën në këto vite jo të lehta”, thekson Manastirliu.

Fico u emërua në krye të QSUT-së, pas zgjedhjes së Enkelejd Jotit, drejtor i përgjithshëm i RTSH-së.

Prof. Albana Fico ka qenë drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik. Fico është diplomuar në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë. Ajo është autore e disa librave, artikujve të botuar dhe ka prezantuar punime shkencore si në forume kombëtare, ashtu edhe ndërkombëtare.

Dr. Fico është fituese e “Medaljes së Artë”, Shqipëri; Çmimi i Ekselencës së Fakultetit 2005, 2006, Instituti Sanford Brown, Nju-Jork, SHBA; Çmimi Vjetor AMT 2005 nga (American Medical Technologists), SHBA.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.