Paraqitet masteri i Drejtësisë tranzitore në UT, Kushi: Rrisim kapacitetet e institucioneve

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka marrë pjesë në prezantimin e masterit shkencor në Drejtësi Tranzitore, i cili vjen si një bashkëpunim i tre fakulteteve në Universitetin e Tiranës, FSHS, FDUT dhe FHF.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadori i OSBE në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, rektori i universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, dekanët e fakulteteve që janë pjesë e këtij bashkëpunimi etj.

Kushi falënderoi prezencën e OSBE-së në Shqipëri për kontributin e rëndësishëm në hartimin e këtij programi dhe për ndërtimin e një kurrikule shumë cilësore. Ajo theksoi se ky program vjen në momentin e duhur, sepse duke pasur parasysh tranzicionin e gjatë të Shqipërisë dhe nevojën e madhe për të ngritur institucione të reja, është e nevojshme prania dhe bashkëpunimi i ekspertëve nga fusha të ndryshme.

“Më vjen mirë që një qasje e re, përveç mësimdhënies, do të jetë puna kërkimore e studentëve, puna kërkimore empirike, punë krahasimore që do të ndihmonte në zbulimin e praktikave më të mira edhe nga shtete të tjera”, u shpreh Kushi.

Duke folur për bashkëpunimin e mirë mes OSBE dhe Universitetit të Tiranës, ministrja Kushi ka theksuar se është shkëmbimi i ekspertëve mes dy institucioneve është për t’u lavdëruar.

Ky program studimi ka si mision të përgatisë specialistë të lartë dhe studiues në fushën e drejtësisë tranzitore, projekteve kërkimore mbi dukuri dhe problematika sociale, rekomandimeve për politikave publike dhe vlerësime të ndikimit të reformave sociale dhe juridike.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.