Nga sot çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë anti-COVID

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj në Parlament, tha se duke filluar nga sot, të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç mund të vaksinohen me dozën e tretë të vaksinës, 6 muaj pasi kanë kryer dozën e dytë.

“Në Shqipëri, 47 % është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë. 42 % e popullatës target mbi 16 vjeç. I referohem ketu shifrave për grupin që kemi synim të vaksinojmë sepse do të doja këtu të jepja dhe një informacion tjetër që është po kaq i rëndësishëm. Nga sot çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu gjatë fjalës saj në Kuvend bëri me dije se qeveria ka garantuar financimin për vaksinat, me qëllim përmbushjen e programit kombëtar të vaksinimit anti- Covid.

“Qeveria shqiptare ka garantuar vaksinat dhe ato janë të disponueshme për të gjithë popullatën e targetuar. Deri më sot, qeveria shqiptare ka financuar për blerjen e vaksinave anti-COVID 36 milionë USD. Kemi parashikuar edhe 27 milionë dollarë për vitin e ardhshëm, me qëllim përfundimin e programit kombëtar të vaksinimit anti-COVID. Kjo marrëveshje që sjellim sot për miratim lehtëson procedurat për vaksinat ‘Pfizer’ që dhurohen nga shtetet e tjera, gjë që na ndihmon në rritjen e disponibilitetit të vaksinave në një kohë shumë të shpejtë”, bëri me dije Manastirliu.

Në fund të fjalës së saj, Manastirliu ka bërë një apel qytetarëve që të vaksinohen nëse do të duam që të festojmë dhe të afrojmë fundin e pandemisë, ndërkohë që ka theksuar që respektimi i masave të shëndetit publik është shumë i rëndësishëm.

“Dua ta shfrytëzoj sërish sot këtë moment për t’iu drejtuar qytetarëve: Nuk ka kohë për të humbur në këtë betejë për jetën. Është e kuptueshme që të gjithë duan të festojnë, të gjithë duan t’i gëzohen festave, por për ta bërë këtë më të qetë e më të mbrojtur, arma është vaksina dhe respektimi i masave të shëndetit publik. Vaksinimi është zgjidhja për të afruar sa më parë fundin e kësaj pandemie dhe për këtë jemi të vendosur të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të përmbushur planin kombëtar të vaksinimit masiv në këtë fazë të re të tij”, ishte apeli i Manastirliut.

Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 2,111,797 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Nga këto, janë kryer 1,075,332 doza të para; 965,964 doza të dyta; 70,501 doza të treta.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.