Liga Profesioniste e Futbollit dhe FSHF, kërkesë për ndryshimin e Ligjit të Sponsorizimit

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Liga Profesioniste e Futbollit dhe Federata Shqiptare e Futbollit, në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme vendosën t’i drejtohen me një kërkesë zyrtare Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë për ndryshimin e Ligjit të Sponsorizimeve, si një kërkesë jetike e futbollit dhe sportit shqiptar.

Në mbledhjen e zhvilluar sot, ku ishin të pranishëm 10 drejtuesit e klubeve pjesëmarrëse në Abissnet Superiore dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u diskutua në lidhje me këtë kërkesë dhe u bënë propozime konkrete për mënyrën se si do të vijojë dialogu me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Kuvendit për ndryshimin e ligjit për sponsorizmet në sport.

Liga Profesioniste e Futbollit së bashku me FSHF-në do të riaktivizojnë negociatat me të gjithë institucionet dhe aktorët përgjegjës për të finalizuar ndryshimet ligjore që do t’i japin një frymëmarrje të madhe sportit shqiptar.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.