FOKUS – Polonia i kërkon NATO-s sinjal të qartë kundër agresionit rus

VARSHAVË, 2 dhjetor /ATSH-PAP/ – Ministri i Jashtëm i Polonisë apeloi në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s në Riga për një sinjal të fortë të NATO-s kundër politikës agresive të Rusisë ndaj fqinjëve të saj, së fundmi Ukrainës, njoftoi Ministria e Jashtme polake.

Takimi i përfunduar të mërkurën diskutoi kryesisht aktivitetin ushtarak të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën dhe krizën e emigrantëve në kufirin polako-bjellorus.

I pranishëm në debate ishte edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ministria tha se një nga temat kryesore të takimit kishte të bënte me kërcënimet e sigurisë ndaj NATO-s dhe zonës euroatlantike për shkak të politikës së Rusisë ndaj Ukrainës dhe krizës së emigrantëve midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Zëdhënësi i ministrisë Lukasz Jasina tha se ministri i Jashtëm polak, Zbigniew Rau, kishte theksuar nevojën që NATO të dërgonte një sinjal të fortë dhe të qartë kundër të gjitha akteve të agresionit dhe të deklarohet e gatshme për të mbrojtur anëtarët e saj nga akte të tilla me mjete adekuate parandaluese dhe mbrojtëse.

Ministrat nënvizuan gjithashtu nevojën për unitet midis anëtarëve të NATO-s në përgjigje të qëndrimit agresiv të Rusisë.

Gjithashtu u diskutua për situatën në Afganistan dhe Ballkanin Perëndimor, Koncepti Strategjik i NATO-s dhe samiti i NATO-s i vitit të ardhshëm në Madrid.

Në një konferencë për shtyp pas takimit, Stoltenberg akuzoi Rusinë për agresion (në Ukrainë – PAP) dhe dha sigurinë e tij se NATO mbështet ambiciet e Ukrainës për t’u bashkuar me Aleancën.

Duke iu referuar frikës së Rusisë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Stoltenberg theksoi se Rusia nuk kishte asnjë rol në këtë çështje pasi vendimet në lidhje me procedurën e anëtarësimit i përkisnin vetëm NATO-s dhe Ukrainës.

Ai njoftoi gjithashtu pasoja të rënda politike dhe ekonomike për Rusinë nëse vazhdon qëndrimin e saj agresiv ndaj Ukrainës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.