COVID-19, Bino: Situata e qëndrueshme, mbulesa vaksinale deri në 48%

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Shefja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha sot se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme në krahasim me dy javë më parë.

Në fjalën e saj, në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve se “nuk kemi rritje të rasteve, përkundrazi kemi një ulje të lehtë. Kemi një situatë të qëndrueshme. Në gjithë trejavëshin e fundit kemi një situatë pak a shumë të njëjtë. Ajo që vëmë re në lidhje me grupmoshat ajo që vëmë re është se kemi një rritje tek grupmoshat e reja dhe pediatrike, 0-4 vjeç, si dhe nga 5-15 vjeç”.

“Kemi pasur vatra në disa shkolla, të cilat janë menaxhuar siç duhet në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të mësimit Janë zbatuar të gjitha udhëzimet e dhëna nga MSHMS dhe ISSH”, shtoi Bino.

Duke folur për mbulesën vaksinale, Bino tha se “kemi rritje të mbulesës vaksinale, e cila shkon deri në 48 %. Kemi rritje në bashkitë e mëdha siç është bashkia e Tiranës, pra kemi një rritje mbi nivelin kombëtar që shkon mbi 52 %”.

“Ne kërkojmë të kemi një ritëm më të lartë të numrit të të vaksinuarve. Nga ana tjetër infeksionet që shfaqen edhe tek personat e vaksinuar, që quhen infeksione ndërhyrëse, janë 10 herë më të larta, tek ato që janë të pavaksinuar”, tha Bino.

Po ashtu Bino bëri të ditur se ka filluar procesi i dozës së tretë, e cila po ecën me ritme të njëjta me aplikimin e dozës së parë dhe të dytë.

Prof. Dhimitër Kraja, mjek në Spitalin Infektiv në QSUT, tha se “rreth 94 % e rasteve të shtruara në spitale nuk janë vaksinuar dhe kjo tregon më së miri dy të dhëna të rëndësishme vlerën e madhe të vaksinës për të mos u shtruar në spital dhe rrezikun e madh të mos vaksinimit për të pasur infeksione të rënda që detyrojnë rastet të shtrohen në spital ose të kenë përfundim fatal”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.