Basha: Lufta ndaj pastrimit të parave nis me vetingun në politikë

TIRANË 2 dhjetor/ATSH-I.Vata/ “Lufta ndaj pastrimit të parave të mafias nis nga salla e Parlamentit”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa iu bëri thirrje deputetëve të pranojnë vetingun në politikë.

Duke folur në Kuvend për ligjin për pastrimin e parave, Basha tha se korrupsioni, përpara se të pastrohet në mënyrë të ndjeshme nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duhet të shfaroset së pari nga kjo sallë.

“Duke pastruar këtë sallë nga të gjithë ata që bëhen pengesë e zhvillimit normal politik, ekonomik dhe social të vendit për shkak të të abuzimeve që kanë kryer duke shpërdoruar mësimin e qytetarëve, duke pasuruar veten, në dëm të qytetarëve të shtetit më të varfër të Europës. Përballë fakteve që ju rendita, dhe që lehtësisht mund t’i verifikoni nëpërmjet dokumenteve zyrtare, nga ato te SHISH, deri tek ato ndërkombëtare, që tregojnë sa serioz dhe alarmant është fenomeni i pastrimit të parave, është e qartë se ai nuk mund të zgjidhet me ndryshime estetike, kinse për të përafruar legjislacionin tonë me atë të BE-së. Për përballjen me këtë gangrenë të rëndë, ka një rrugë, ka një zgjidhje, një pikënisje. Pranoni për veten tuaj, pranoni për politikanët atë që kërkoni të vëni të detyrueshëm për noterët, që ju keni sjellë si propozim në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave. Vetingun. Nëse ky mjet gjykohet nga ju si i nevojshëm për noterët, nëpërmjet të cilit synohet pengimi i pastrimit të parave, e njëjta logjikë duhet të jetë e vlefshme për politikanët”, u shpreh Basha.

Basha shtoi se “pse të kemi një trajtim preferencial, pse dy standarde? Për më tepër, në dallim me noterët, përgjegjësitë e politikanëve janë shumë më të mëdha, impaktet e vendimeve të politikanëve janë shumë më serioze, ndaj edhe cilësia e politikanëve, pastërtia e figurës së politikanëve, që doemos reflekton edhe vendimmarrjen kundrejt interesit të publikut, e të moralshme edhe përpara qytetarëve, që të jemi ne të parët që të kalojnë nga ky filtër. Që kurrsesi nuk mund t’ua imponojmë të tjerëve dhe t’ia shmangim vetes”.

“Pra, kjo çështje është shumë e thjeshtë, dhe duhet të trajtohet me kurajo, pa frikën e fatit personal të askujt, Për të ndalur pastrimin e parave, dhe deformimet e panumërta që pandëshkueshmëria dhe korrupsioni dhe lidhjet me krimin kanë prodhuar në ekonomi dhe në shoqëri, duhet të fillojmë me pastrimin e politikës. Kjo është çështja kryesore, këtu ndahet e shkuara nga e ardhmja. Çdo debat tjetër është një shtytje e panevojshme e një shfaqje që shqiptarët kanë vuajtur në kurriz për shumë gjatë, duke e lënë vendin në pozita të pamerituara në krahasim me shtete të tjera, por sidomos në raport me ku duhet të ishte për shkak të burimeve natyrore që i ka falur Shqipërisë Zoti dhe potencialin njerëzor që ka”, u shpreh Basha.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.