Balla, pjesë e Samitit për Demokraci organizuar nga Kongresi Amerikan

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla do të marrë pjesë në Samitin për Demokraci të iniciuar nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i cili do të mbahet në datat 9-10 dhjetor.

Dhoma e Përfaqësuesve përmes Partneritetit për Demokraci (HDP) startoi sot Dimensionin Parlamentar të Samitit.

Në këtë kuadër sot u mbajt seanca e hapjes, ku mesazhi kryesor ishte roli i padiskutueshëm i legjislativit si platformë për diskutimin e çështjeve më të rëndësishme të një kombi dhe vendi ku zëri i njerëzve duhet të dëgjohet.

Balla theksoi se për këtë arsye legjislativi është një nga garancitë më të forta të një demokracie.

“Siç me të drejtë e theksoi në fjalën e hapjes edhe Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, “shekulli XXI po përball demokracinë me sfida të rëndësishme gjithandej, ku edhe vetë SHBA nuk janë imunë ndaj këtyre sulmeve”. Partneriteti ndërmjet parlamenteve është një mënyrë efikase për të mundësuar sundimin e demokracisë përkundrejt rritjes së tendencave autokratike në botë”, tha Balla.

Samiti për Demokraci do të ndalet në tri çështje kryesore: mbrojtja e demokracisë nga autoritarizmi, lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i respektimit të të drejtave të njeriut.

/m.m/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.