Akuzat për Toyota Yaris, Balla: Basha të kallëzojë për shpifje Berishën

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i sugjeroi sot në seancën plenare të Kuvendit kreut të PD-së, Lulzim Basha të kallëzojë për shpifje ish-kryeministrin Sali Berisha për akuzat për çështjen e “Toyota Yaris”.

“Bashës do të doja t’i sugjeroja, meqenëse Sali Berisha na ka akuzuar të dyve për bashkëpunëtorë në çështjen e ‘Toyota Yaris’, të bëjë të njëjtën gjë që bëra unë me Bashën. Unë Bashën e kallëzova penalisht në gjykatë. Dhe mendoj që dhe Basha ta kallëzojë penalisht Berishën në gjykatë”, u shpreh Balla.

Sa i përket ligjit për parandalimin e pastrimit të parave, Balla u shpreh se, “ju ftoj që ta votoni, sepse është kryekëput me disa gjëra që ju i keni propozuar”.

“Keni propozuar çështje që lidhen me vetingun e politikanëve. Ky ligj është një ndihmë e madhe për, dy institucione të paktën, por për më shumë organe ligjzbatuese të tjera për pastrimin e parave, sepse kemi forcuar konceptin e personit të ekspozuar politikisht dhe persona të lidhur me të. Pastrimi i parave natyrshëm, ka dyshime. Madje ka hetime edhe për persona të ekspozuar politikisht. Përse s’e votoni ju këtë? Përse nuk e mbështesni forcimin e këtij ligji që t’i shkojë mbrapa pastrimit të parave edhe nga persona të ekspozuar politikisht? E keni votuar kundër në komisione”, u shpreh Balla.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.