Turneu i përfaqësueseve rajonale, Mema: Zgjedhim elementët më të mirë për ekipet kombëtare

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Më 6 dhjetor 2021 do të nisë turneu i përfaqësueseve rajonale që organizohet nga FSHF për moshat U-13, U-14 dhe U-15.

Pjesë e këtij turneu do të jenë të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grup-moshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra.

Qëllimi i këtij turneu është evidentimi i talenteve të reja që militojnë në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare, për të qenë më pas edhe pjesë e ekipeve kombëtare të moshave. Për të folur më tej në lidhje me këtë turne, FSHF.org ka zhvilluar një intervistë me Sulejman Memën, specialistin e Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.

Mema ka ndjekur nga afër një pjesë të seleksionimeve së bashku me trajnerët e ekipeve Kombëtare, ku kanë dhënë udhëzime mbi mënyrën se si duhet të stërviten futbollistët e vegjël. Ai u shpreh se trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale evidentojnë përmes punës së tyre elementët më të mirë, të cilët më pas bëhen pjesë e këtij turneu, duke theksuar edhe qëllimin kryesor se pse zhvillohet ky turne. Në fund, Sulejman Mema foli edhe mbi programin e mëtejshëm të ekipeve deri në fundin e sezonit.

“Ky turne ka vite që zhvillohet dhe ky vit jo se ka filluar ndryshe, por metodika e stërvitjes duhet të jetë më ndryshe. I kemi dhënë edhe udhëzimet e duhura, si ato duhet të veprojnë te stërvitjet. Kemi marrë pjesë te disa seleksionime, ku kanë qenë të pranishëm edhe trajnerët e ekipeve Kombëtare. Mundohemi të marrim më të mirët në seleksionime, ku dhe puna kualitative e trajnerëve do të bëjë të mundur që njëherë në javë që ato stërviten, duke evidentuar futbollistët më të mirë do të vlejë për turneun rajonal që do të vlejë nga data 6 e deri më 16 dhjetor”, tha Mema.

“Përveç aktivitetit rajonal dhe kombëtar që ato kanë, ku ne i vëzhgojmë, mendoj që ky turne është i vlefshëm sepse trajnerët e ekipeve kombëtare shikojnë fazën përfundimtare te turneu rajonal, aty ku zgjidhen elementet më të mirë, ku përveç se i zgjedhin janë në vëzhgim edhe pjesa tjetër që nuk shikohen gjatë gjithë kohës nga trajnerët për të zgjedhur elementet më të mirë që janë të domosdoshëm për ekipin kombëtar”, theksoi Mema.

“Deri në fund të sezonit, mendoj nga muaji maj është edhe turneu i dytë, që zhvillohet mes rajoneve, 8 rajoneve që ne kemi, që janë të evidentuara tani, si zona e Korçës, Elbasanit, Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Gjirokastrës, që është një zonë e re që ka dy vite që funksionon, zona e Fierit, bashkë me Vlorën, që së bashku këto me dy grupe ku një zhvillohet në Fier dhe një në Tiranë arrijmë deri në fazën finale, që zhvillohet në Tiranë”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.