Stenda e ATSH-së prezanton 109 vite histori në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës

TIRANË 1 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës të organizuar nga Klik Ekspo Group është e pranishme me stendë ekspozuese edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila nëpërmjet fotove bardhezi shpalos historinë e saj 109-vjeçare.

Agjencia Telegrafike Shqiptare merr pjesë edhe këtë vit në këtë panair ndërkombëtar me stendën e saj, ku përmes fotove sjell një pjesë nga historia e saj e hershme, e cila daton që prej vitit 1912.

Arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me lajmet e kohës janë nga më të rrallat jo vetëm në historikun e medieve në Shqipëri, por dhe të kulturës, fotografisë dhe entitetit kombëtar.

Që ditën e parë stenda e ATSH-së ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve me fotografitë e vjetra të ekspozuara, të cilat të kthejnë mbrapa në kohë, duke të njohur edhe me shërbimet e ofruara nga kjo agjenci ndër vite.

Të interesuarit rreth kësaj stende ishin të shumtë, duke parë nëpërmjet fotove të një nga medieve më të vjetra në vend, një pjesë të historisë së kombit tonë përgjatë 109 viteve.

Mes vizitorëve të stendës së ATSH-së kishte edhe historianë, artistë, gazetarë, të cilët vlerësuan ATSH-në si një agjenci të lajmit të vërtetë dhe si një lider të informacionit për publikun shqiptar.

Stenda e ATSH-së do të qëndrojë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës për katër ditë (1-4 dhjetor), ku vizitorët do të njihen gjerësisht edhe me veprimtarinë e përditshme të kësaj agjencie.

Arkivi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, nga më të vyerit në Shqipëri, meriton të njihet e të shfletohet.

Foto të stampuara një shekull më parë, e vit pas viti deri më sot, pasqyrojnë historinë e shtetit shqiptar, kulturën e traditat shqiptare në kohë të ndryshme.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.