Sassoli: Tryeza e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet sa më shpejt

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u prit në një takim nga presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli.

Kryetarja Nikolla e falënderoi presidentin Sassoli për mbështetjen e tij të fuqishme, personale dhe institucionale, për avancimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së.

“Nisma juaj për të vendosur një dialog ndërmjet Parlamentit Evropian dhe kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor është një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e lëvizjes së vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian. Pavarësisht sfidave dhe ndikimit të pandemisë COVID-19, Shqipëria ka avancuar në reformat e rrugëtimit drejt BE-së dhe ka përmbushur të gjitha prioritetet e vendosura nga Këshilli Evropian. Ne kemi besim se Parlamenti Evropian do të ndikojë për mbajtjen e Tryezës së Parë Ndërqeveritare me BE-në brenda vitit 2021. Shqipëria ka pranuar qasjen e bazuar në merita për bisedimet e anëtarësimit dhe tani është radha e BE-së për të mbajtur premtimet dhe për të na sjellë më pranë Bashkimit Europian. Ne mendojmë se është e padrejtë që mbajtja e Tryezës për Shqipërinë dhe për Maqedoninë e Veriut të pengohet nga faktorë që nuk kanë lidhje me plotësimin nga vendet tona të standardeve integruese”, vuri në dukje Nikolla.

Ajo informoi presidentin Sassoli për ecurinë e zhvillimeve dhe të reformave në vend dhe përpjekjet për të ndërtuar një klimë pozitive dhe dialog konstruktiv me opozitën.

“Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi ka dhënë rezultate të mira dhe po avancon pozitivisht. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë tashmë funksionale, ndërsa Vetting-u po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe po jep rezultate të prekshme. Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së dhe Europolin. Struktura e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), janë funksionale”, tha ajo.

Po ashtu, Nikolla u shpreh se, “Shqipëria vazhdon të ruajë një normë 100 për qind të përafrimit me politikën e jashtme të BE-së dhe ka vazhduar të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me vendet fqinje, për të adresuar çështjet dypalëshe dhe për të garantuar marrëdhënie të mira fqinjësore”.

“Kuvendi i Shqipërisë po lehtëson gjithashtu avancimin në rrugën e integrimit në BE, duke bashkëpunuar ngushtësisht me Delegacionin e Parlamentit Europian në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, si edhe përmes diplomacisë parlamentare e bashkëpunimit për iniciativa rajonale ose evropiane”, tha ajo.

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, e falenderoi Kryetaren e Kuvendit për informimin mbi arritjet e Shqipërisë për përmbushjen e reformave integruese, si edhe për kontributin e Kuvendit në mbështetje të legjitimitetit të këtij procesi.

Ai nënvizoi se marrëdhëniet e Parlamentit Evropian me Shqipërinë dhe Kuvendin janë të shkëlqyera dhe Parlamenti Evropian ka pasur një impenjim konstant për çeljen e negociatave me Shqipërinë.

“Parlamenti Evropian do të vazhdojë të insistojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE të mbahet sa më shpejt. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat që i rekomandoi Këshilli Evropian në vitin 2020. Për ne është e rëndësishme që Shqipëria ka stabilitet politik. Parlamenti Europian do të jetë zëri i Shqipërisë brenda Bashkimit Evropian, sepse Bashkimi Evropian pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor ka një boshllëk të madh dhe të dukshëm. Ne nuk duhet që me vonesat tona në procesin e zgjerimit të zhgënjejmë popujt e Ballkanit Perëndimor dhe të lejojmë hapësira për influenca joperëndimore në rajon”, tha ai.

Sassoli siguroi se “Parlamenti Evropian do të vazhdojë bashkëpunimin me Shqipërinë edhe gjatë procesit të negociatave”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.