Rakacolli: Shqipëria në alert për varinatin Omicron, do të dërgojmë mostrat për sekuencim

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ – Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi sot se ashtu si e gjithë bota edhe Shqipëria është e ngritur në alertin për t’u përballur me variantin Omicron të virusit COVID-19

E pyetur nëse ka mbërritur Omicron në Shqipëri, Rakacolli tha se, “atë nuk e dimë sepse që të thuash që ka mbërritur duhet ta kesh me laborator. Por natyrisht që ashtu si e gjithë bota edhe Shqipëria është e ngritur në alertin për t’u përballur me këtë variant të virusit”.

Ajo shtoi se, “përderisa pandemia vazhdon, dalja e varianteve të reja është një gjë e pritshme dhe është gjithmonë në vëmendje të të gjithë atyre që merren me pandeminë”.

“Kështu që natyrisht që kur u shpall ky variant i ri ne ekemi ndjekur me shumë vëmendje situatën kudo në botë. Kemi ndjekur me vëmendje si gjithmonë situatën në Shqipëri”, tha Rakacolli, duke shtuar se nuk e përjashton, por as nuk e konfirmon praninë e Omicron në vendin tonë.

Rakacolli tha se, “vendet e tjera e kanë gjetur me sekuencim. Edhe ene do t’i çojmë mostrat tona. Po i përzgjedhim në bazë të protokolleve dhe do t’i çojmë shumë shpejt për sekuencim. Sepse është vetëm sekuencimi ai që vë diagnozën”.

E pyetur nëse ka dyshime që Omicron mund të ketë mbërritur në Shqipëri, Rakacolli tha se, “përderisa është një virus, i cili është në shumë vende të botës, është edhe në vendet fqinje, patjetër që ka një lloj logjike që të mendosh që është edhe këtu si të gjithë variantet e tjera. Siç ishin variantet alfa, beta, virusi i Vuhan-it, virusi beta, siç ishin prezentë, natyrisht që mendohet që mund të jenë edhe këtu”./a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.