Përballen me pasojat e COVID-19, apeli për vaksinim nga Spitali Infektiv

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Qytetarët që po përballen me pasojat e COVID-19 në spitalin Infektiv i bëjnë apel të gjithëve, sidomos të rinjve, që të vaksinohen.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu publikoi sot apelin e tyre, ndërsa thekson, “ju lutem dëgjoni apelin për vaksinim nga qytetarët që po përballen me pasojat e COVID-19 në Spitalin Infektiv, në një kohë kur rreziku nga varianti i ri Omicron përbën shqetësim për të gjitha vendet dhe e vetmja mundësi për t’u mbrojtur dhe për të frenuar përhapjen e pandemisë është vaksinimi”.

“Në familjen time të gjithë janë të vaksinuar, përveç meje, se ajo ishte një zgjedhja ime. Dhe kjo zgjedhje e gabuar më çoi këtu ku jam. Dua të them që të gjithë të rinjtë, pa përjashtim, duhet të vaksinohen”, tha një i ri.

Një tjetër qytetare shprehet se “ju them të gjithëve të vaksionhen se do të përfundojnë si puna ime në spital”.

Ndërsa një tjetër qytetar i bën thirrje të gjithë moshave 30-45 vjeç, por edhe më të vegjëlve të vaksinohen një orë e më parë.

“Po të ishim vaksinuar do të ishim në shtëpi me fëmijët”, thotë ai.

Në të gjithë vendin vijon vaksinimi kundër COVID-19 në qendrat shëndetësore çdo ditë të javës, për çdo qytetar mbi 16 vjeç si dhe për fëmijët 12-15 vjeç, sipas rekomandimit të mjekut.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.