Nano inspekton procesin e konkurrimit për Patrullë të Përgjithshme

TIRANË, 1 dhjetor /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka inspektuar ditën e sotme, procesin e konkurrimit për Patrullë të Përgjithshme, në fazën e parë, atë të teorisë.

Nano ka inspektuar disa procese të kësaj faze dhe ka përgëzuar administratorët e procesit, për korrektësinë dhe transparencën.

Nano ka përshëndetur konkurrentët që po zhvillonin testimin dhe i ka falënderuar ata, për dëshirën dhe aplikimin për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, si dhe u uroi atyre suksese, duke i garantuar se i gjithë procesi është transparent dhe monitorohet nga disa struktura të Policisë së Shtetit, si dhe nga SHÇBA.

“Unë paraprakisht ju uroj të gjithëve suksese dhe ju garantoj që procesi do të jetë transparent dhe fitoftë më i miri dhe të fitojnë ata që e meritojnë, kjo për të ecur dhe për të bërë një ndryshim në Policinë e Shtetit, për të përmirësuar radhët, cilësinë dhe profesionalizmin në Policinë e Shtetit”, iu drejtua Nano konkurrentëve.

“Jam njohur fillimisht me fazën e parë të testimit. Stafi që monitoronte gjithë testimin tuaj, më ka bërë prezent situatën paraprake, nuk ka patur asnjë problem dhe mua për këtë më vjen mirë, deri më tani”, tha Nano.

“Paralelisht me strukturat policore ka dhe struktura të tjera që monitorojnë gjithë procesin, ndaj jua rithem me bindje që do të jetë një proces shumë transparent për gjithësecilin nga ju dhe për ne. Kjo na e bën punën më të lehtë për të përzgjedhur ata kandidatë që vërtet arrijnë kuotën e vendosur për t’u bërë pjesë ose për të kaluar në fazën tjetër të testimit”, theksoi Nano.

“Ju uroj të gjithëve suksese dhe ashtu siç e kam unë personalisht sfidë drejtimin e Policisë së Shtetit dhe çuarjen përpara të të gjitha projekteve aktuale të Policisë dhe zhvillimin apo fillimin e projekteve të reja, të cilat do të jenë në favor në radhë të parë të të gjithë punonjësve të Policisë, për tua bërë jetën dhe punën më të lehtë, po ashtu edhe krijimin e besimit te komuniteti, gjë që është çelësi kryesor për suksesin tone”, tha Nano.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.