Mbyllja e hyrje-daljeve të rrezikshme, Berberi për ATSH-në: Bizneset, leje nëse plotësojnë standardet

TIRANË, 1 dhjetor/ATSH/ Autoriteti Shqiptar Rrugor (ARRSH) po vijon aksionin në të gjithë rrugët e vendit për të mbyllur hyrjet dhe daljet e rrezikshme të cilat nuk plotësojnë kriteret sipas standardeve, duke u kthyer kështu jo rrallë herë në burim aksidentesh.

Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH-së, Evis Berberi bëri të ditur sot për ATSH-në se gjatë ditës së sotme specialistët po kryejnë mbylljen e të gjitha hyrje daljeve në autostradën Tiranë-Durrës, nga Qafa e Kasharit në drejtim të Durrësit si dhe në aksin Lushnjë-Fier.

Aksion konsiston në mbylljen me mbrojtëse anësore metalike dhe hapjen e kanaleve anësore të mbyllura në mënyrë të paligjshme nga ana e bizneseve në anë të rrugës.

Kreu i ARRSH-së, Evis Berberi bëri të ditur se janë 3000 subjekte që kanë akses në akset nacionale në vend dhe vetëm 60 prej tyre janë të licencuara dhe kanë marrë leje për përdorimin e rrugës. Sipas Berberit, të gjitha bizneset janë lajmëruar për këtë aksion, ndërsa të gjithë aplikuesve do t’u jepet leja në rast se plotësojnë standardet e kërkuara.

Ato biznese që plotësojnë kriteret për të vijuar me ushtrimin e aktivitetit të tyre, por që nuk janë pajisur me autorizimin përkatës për hyrje-dalje, duhet të përgatisin dokumentacionin dhe të aplikojnë tek e-Albania.

Sipas ARRSH-së, çdo projekt që do të paraqitet për hyrje-dalje, duhet të jetë i shoqëruar me një raport auditimi të sigurisë rrugore të përgatitur nga auditues i certifikuar.

Sipas verifikimeve të kryera, 4 akset më problematike janë Shkodër-Hani i Hotit me 224 hyrje-dalje dhe asnjë me leje, Tiranë-Durrës me 299 dhe vetëm 31 me leje, Skuraj-Burrel-Peshkopi me 163 dhe asnjë me leje dhe Rrogozhinë-Lushnjë me 126 dhe vetëm 7 me leje.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.