112-vjetori i Shkollës Normale, Kushi: Objektivi ynë, përgatitja e mësuesve cilësor

TIRANË 1 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimore të 112-vjetorit të hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit, që sot mban emrin Shkolla e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, prefektja e qarkut, Majlinda Periu, ish-nxënës e ish-mësues të Shkollës Normale, si dhe nxënës e mësues.

“Përkujtuam sot me shumë përulje e respekt 112-vjetorin e Shkollës Normale, e cila ishte shkolla e parë që përgatiti mësues të gjuhës shqipe për të gjitha trojet shqiptare”, shprehet ministrja.

Kushi gjatë fjalës së saj ka shprehur mirënjohje për punën e palodhur të çdo mësuesve që përcollën vlerat më të larta atdhetare dhe qytetare në të gjithë kombin shqiptar, ndërkohë që ka nënvizuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka si objektiv që të ketë jo thjesht mësues, por mësues cilësor.

“Është detyrim i yni për të përgatitur jo thjesht mësues, por mësues cilësor. Të nxisim tek brezat rinj dashurinë dhe pasionin për profesionin e bukur të mësuesisë. Vërtetë është një profesion që nuk të bën të pasur, por të pasuron mendjen dhe shpirtin. Mësuesia është profesioni që të fisnikëron më shumë se çdo profesion tjetër”, shprehet ministrja.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.