Reshjet e shiut , probleme në akset rrugore dhe tokat bujqësore në Elbasan

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Shirat e rënë me intensitet të lartë në qarkun e Elbasanit, kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme si në akset rrugore, në prurjet e shumta të lumit Shkumbin, por edhe në toka bujqësore.

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja i shoqëruar nga nënkryetari Adi Qose ka parë nga afër situatën në zonën e Shushicës, e cila ka pësuar më shumë dëme.

Menjëherë pasi kanë nisur shirat në Shushicë të Elbasanit kanë shkuar mjetet e Agjencisë së Shërbimeve Publike, të cilët po ndërhyjnë për pastrimin nga zhavorret dhe dherat.

“Shkak për përmbytjet në këtë fshat kanë ardhur edhe për pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Gurrës, ndaj dhe mjetet e ASHP-së po punojnë për pastrimin nga gurët dhe dherat, me qëllim që t’i vijnë në ndihmë banorëve”, tha Llatja.

Bashkia e Elbasanit gjatë stinës së verës dhe pranverës ka ndërhyrë në këtë zonë, ndërsa do të jetë në gatishmëri për prurjet e përrenjve malorë si edhe për menaxhimin e rezervuareve.

/k.s/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.