COVID-19 – Norvegjia rikthen mbajtjen e maskave në publik

OSLO, 30 nëntor /ATSH-DPA/ – Norvegjia ka prezantuar masa dhe rekomandime të reja për të luftuar përhapjen e COVID-19.

“Tashmë qytetarët këshillohen të mbajnë maska mbrojtëse kur janë në kontakt me shërbimet shëndetësore dhe të kujdesit, në transportin publik dhe kur bëjnë pazar, nëse nuk është e mundur të ruajnë distance”, njoftoi sot kryeministri Jonas Gahr Store.

Nga e mërkura, atyre që jetojnë me një person të infektuar me virus do t’u kërkohet të izolohen deri në marrjen e rezultatit negativ të testit.

“Ky rregull është i detyrueshëm për të gjithë të rriturit, pavarësisht nga statusi i vaksinimit, por vetëm një rekomandim për fëmijët”, shtoi Store.

Të infektuarit me COVID-19 duhet të qëndrojnë në karantinë për pesë ditë.

“Pandemia nuk ka mbaruar, por ka hyrë në një fazë të re. Është e nevojshme të mësohemi të jetojmë me virusin dhe ta kontrollojmë atë”, theksoi kryeministri.

Store, gjithashtu, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen dhe të pranojnë dozat përforcuese kur t’ju ofrohen./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.