AFGANISTAN – HRW: Më shumë se 100 forca të sigurisë të vrarë ose të zhdukur

ISLAMABAD, 30 nëntor /ATSH-DPA/ – Talebanët kanë ekzekutuar ose zhdukur me forcë më shumë se 100 ish-forca të sigurisë qeveritare që nga marrja e pushtetit në Afganistan, sipas një raporti të publikuar sot nga organizata Human Rights Watch (HRW).

”Raporti prej 25 faqesh dokumenton vrasjet ose zhdukjet e ish-zyrtarëve afganë nga ushtria, policia, shërbimet e inteligjencës dhe milicitë pro qeveritare, të cilët u dorëzuan ose u arrestuan nga forcat talebane midis 15 gushtit dhe 31 tetorit”, sipas Human Rights Watch, që përpiloi provat.

OJQ-ja thotë se ka mbledhur informacion të besueshëm për më shumë se 100 vrasje ose zhdukje me forcë nga provincat Ghazni, Helmand, Kandahar dhe Kunduz, katër nga 34 provincat e vendit.

Udhëheqja e talebanëve ofroi një “amnisti të përgjithshme” për të gjitha forcat nga qeveria e mëparshme afgane, si para ashtu edhe pasi grupi militant islamik pushtoi vendin në gusht.

Shumica e provincave, përfshirë kryeqytetin Kabul, iu dorëzuan atyre pa luftë. Forcat e sigurisë u dorëzuan masivisht në disa provinca, ndërsa të tjerët braktisën detyrat e tyre dhe u fshehën.

HRW thotë se talebanët kanë fituar akses në të dhënat e punësimit që ish-qeveria la pas dhe po i përdor ato për të identifikuar njerëzit për arrestim dhe ekzekutim.

“Amnistia e premtuar e udhëheqjes së talebanëve nuk i ka ndaluar komandantët lokalë që të ekzekutojnë ose zhdukin në mënyrë të përmbledhur ish-anëtarët e forcave afgane të sigurisë”, thotë Patricia Gossman, drejtoreshë e asociuar për Azinë në HRW.

Në përgjigje të gjetjeve, zyrtarët talebanë i thanë HRW-së se kishin hequr nga radhët e tyre 755 anëtarë që u zbuluan se kishin kryer akte të tilla dhe kishin krijuar një gjykatë ushtarake për të akuzuarit për vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm.

Sipas HRW-së, megjithatë, ata nuk kanë dhënë asnjë informacion për të vërtetuar pretendimin e tyre./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.