U plagos me armë zjarri, humb jetën në spital ish-kryetari i Komunës së Velipojës

TIRANË, 29 nëntor/ATSH/- Ish-kryetari i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka ka ndërruar jetë në spital pasi u qëllua me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Shkodrës.

Siç raportuan mediet, familjarët bënë kërkesë për gjak, por 64-vjeçari nuk mundi t’u mbijetojë plagëve. Policia e Shkodrës në një njoftim zyrtar bëri të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” në rrethana ende të paqarta.

“Rreth orës 18:15, në lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë  dhe vijon krehja e  zonës  me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, sqaroi policia në një njoftim paraprak menjëherë pas ngjarjes.

Ujka ka mbajtur detyrën e kryetarit të Komunës Velipojë në mandatin 2011-2015.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.