Publikohet dosja e persekutimit të socialdemokrates Musine Kokalari

TIRANË 29 nëntor /ATSH-I.Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikoi dosjen e Musine Kokalarit për studiuesit.

“Filloi lufta e Tiranës, – kujton Musine Kokalari në librin e vet “Si lindi Partia Socialdemokrate” (1972). “Më 12 nëntor m’i morën dy vëllezër e shumë veta në lagje i vranë ‘ushtarakët çlirimtarë’. Më 13 nëntor më arrestuan”.

Kokalari u lirua më 28 nëntor, e vetëdijshme se lirisë i kishte ardhur fundi.

“Filloi tragjedia e individit demokrat, – shkruan ajo, – nën diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokracinë dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e mospërfillje”, shkruan Kokalari.

Musine Kokalari u arrestua më 23 janar 1946 me akuzën se, si socialdemokrate, solli përçarje gjatë luftës. Të njëjtën akuzë i patën bërë ballistët kur ajo i pati lajmëruar për formimin e Partisë Socialdemokrate. E mbajtën 17 ditë në burg.

Qëndrimi i saj në gjyq ishte shuplakë ndaj regjimit dhe dëshmi e forcës morale që intelektualët po tregonin kundrejt totalitarizmit. U mbrojt vetë, pa avokat, ku mes argumenteve spikati: “Unë nuk kam nevojë të jem komuniste të dua vendin tim. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia!”.

Më 2 korrik të vitit 1946, Musineja u dënua me 20 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, si sabotatore dhe armike e popullit. Nisi kalvari i internimeve komuniste që e çoi nga Tirana, në Burrel, Shkodër e Rrëshen, deri në fund të jetës, ku mbylli sytë.

Ende sot, figura e Musine Kokalarit, projekti i saj për një Shqipëri më të mirë për të gjithë, ku pranohej mendimi ndryshe dhe aspirohej qeverisja demokratike e respektimi i të drejtave të njeriut, miqësia me shtetet demokratike e fqinje, zgjidhja e problemit të Kosovës, respektimi i të drejtave të pakicave, vjen me gjithë dritën e saj.

Profili i Musine Kokalarit është trajtuar gjerësisht në projektin mbi mendimin politik të së majtës shqiptare, bashkëpunim i AIDSSH me Fondacionin Friedrich Ebert në Tiranë.

Të interesuarit mund të njihen me dosjet, në përputhje me ligjin 45/2015 i ndryshuar, duke aplikuar online në faqen e AIDSSH. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.