COVID-19 – Steinmeier kërkon kufizime sociale pas rastit të tretë me Omicron

BERLIN, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i ka bërë thirrje publikut të kufizojë kontaktet ndërsa vendi përballet me valën e tij të katërt të infeksioneve Covid-19, ndërsa autoritetet konfirmuan  rastin e tretë në Gjermani të variantit të ri shqetësues Omicron.

“Është e rëndësishme që ne të gjithë të veprojmë së bashku tani”, tha Steinmeier në një editorial për gazetën ”Bild am Sonntag”.

“Le t’i përmbahemi rregullave, t’i reduktojmë edhe një herë kontaktet. Le ta bëjmë që shkollat ​​dhe qendrat e kujdesit për fëmijët të mos mbyllen përsëri, në mënyrë që të mos na duhet të mbyllim plotësisht jetën publike”, theksoi ai.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi autoritetet shëndetësore gjermane njoftuan një numër rekord të rasteve me Covid-19.

Repartet e spitaleve në disa shtete janë në kapacitet të plotë, me pacientë që transferohen në të gjithë vendin.

Në Bavari, një nga shtetet më të prekura, një fluturim special i forcave ajrore u nis dje  aeroporti i Mynihut mes reshjeve të dëborës duke transportuar pesë pacientë të sëmurë rëndë në Hamburg. Nga atje, ata do të dërgohen në shtetin verior të Schleswig-Holstein për kujdes të mëtejshëm intensiv.

”Që nga e premtja, një total prej 50 pacientësh të sëmurë rëndë Covid-19 janë zhvendosur në shtete më pak të mbingarkuara”, sipas një zyrtari qeveritar, në atë që u përshkrua si operacioni më i madh i vendit për të lëvizur njerëzit në kujdesin intensiv.

Përveç Bavarisë, landet e Saksonisë dhe Turingisë janë gjithashtu veçanërisht të prekura nga vala aktuale Covid-19./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.