Alibeaj: Do propozojmë paketë ligjore për dekomunistizimin

TIRANË 29 nëntor /ATSH-I.Vata/ Nënkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj së bashku me deputetët Dhurata Çupi dhe Flamur Hoxha, kanë reaguar për rastin e djeshëm, ku në grupin e “Whatsapp-it” të Komisionit të Sigurisë, deputeti socialist, Bujar Çela, uroi 28 nëntorin me një foto të diktatorit Enver Hoxha.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, tha se kjo masë shpreh nevojën e menjëhershme për dekomunistizimin e shoqërisë, e për këtë tha se kanë kërkuar përpilimin e një pakete ligjore.

“Rasti i djeshëm i deputetit Bujar Çela tregon më së shumti se nuk është një rast i shkëputur, por më tepër se kaq. Tregon dhe shtron për diskutim nevojën për tu distancuar nga diktatura enveriste nga pasojat që ai ka lënë në shoqërinë shqiptare sigurisht dhe ndikimi në të ardhmen. Evokimi i figurës së diktatorit Enver Hoxhës në një datë të shënuar nga një ligjvënës nuk është thjeshtë shkelja e kodit të sjelljes së parlamenti nga parlamentarë gjatë punimeve të parlamentit, por diçka më tepër, pikërisht atë që thash pak më parë nevojë për të bërë një dekomunistizimin e e shoqërisë shqiptare. Në emër të kolegëve deputetë, do të kërkojmë në Këshillin e Etikës marrjen e masave ndaj deputetit në fjalë, si një reagim detyrim moral dhe  i domosdoshëm. Po përveç kësaj, ajo që ne kemi propozuar kryetarit të partisë, është që PD, të paraqesë një paketë të plotë ligjore për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare”, tha Alibeaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.