Pacolli: Aeroporti i Vlorës do të jetë më i bukuri në trojet shqiptare

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Sipërmarrësi Behgjet Pacolli, ku kompania e tij Mabetex është pjesë e konsorciumit për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, deklaroi sot gjatë ceremonisë për nisjen e ndërtimit në këtë kantier se ky aeroport do të jetë vepra më e bukur në këto troje.

Në fjalën e tij, Pacolli u shpreh se ky do të jetë një kantier ndërtimi me një vlerë të madhe ekonomike për vendin.

“Kam nderin sot të jem këtu në këtë event shumë të rëndësishëm në ditën e madhe të kombit kur në festojmë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, e pavarësisë së kombit tonë, dita dhe eventi bëhet dhe më madhështorë kur ne me punë praktike fillojmë një kantier kaq të rëndësishme. Fillimi i këtij kantieri ka rëndësi të madhe për ekonominë e vendit dhe është një projekt i posaçëm sepse tregon qartë harmonizimin e bashkëpunimit të qeverisë me privatin, është një veprim i ekonomisë liberale, ku qeveria krijon kushtet dhe bën çmos që që t’i sigurojë investitorit infrastrukturën ligjore, ambientin miqësor për investime dhe ambientet fizike, dhe investitori vjen dhe pa dyshim nis punën”, tha ai.

Pacolli shtoi se “jam i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre jam i lumtur që kjo ndodh në vendin time dhe ne qytetin që kam më përzemër. Unë 20 vitet e fundit gjithmonë jam në Vlorë për të festuar dhe sot jemi me një gjë madhështore. Jam me kryeministrin që jashtëzakonisht e preferoj, me energji të paparë , me dashuri dhe dëshirë shumë të madhe për të ndërruar Shqipërinë”.

“Kryeministër ju ja keni dalë, ju përgëzoj, ju jeni duke punuar për qytetarët tanë, për popullit tonë edhe e them me modesti edhe ne kemi të drejtë të kemi një jetë më të mirë për fëmijët tanë. Na qoftë e mbarë fillimi, dhe ju garantoj se shumë shpejt do të avancojmë dhe sipas marrëveshjes do ta hapim këtë aeroport. Ky do jetë aeroporti më i bukur dhe më funksional i këtyre trojeve”, deklaroi sipërmarrësi dhe politikani i njohur nga Kosova.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.